Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kryeministri Edi Rama ka folur për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës, si dhe protestat që kanë përfshirë vendin muajt e fundit, gjatë një interviste me gazetaren Maria Tadeo në samitin “Euronews Enlargement Summit”.
Gjatë diskutimit në këtë forum të nivelit të lartë, kushtuar zgjerimit të Bashkimit Europian dhe perspektivës së vendeve aspirante, Rama konfirmoi se objektivi i qeverisë shqiptare është mbyllja e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027.
Kreu i qeverisë pranoi se Shqipëria ka ende probleme dhe pengesa të brendshme, por u shpreh se procesi i integrimit po e ndihmon vendin t’i adresojë ato përmes instrumenteve që, sipas tij, nuk do të ishin të disponueshme jashtë këtij procesi.
“Kemi probleme dhe po luftojmë që t’i zgjidhim, dhe procesi po na ndihmon ta bëjmë këtë gjë me mjete që nuk do t’i kishim. Nuk ka asnjëherë thelbësisht diçka ndryshe me BE-në, është një martesë ku çdo gjë është e parashikueshme. Kur bëhet fjalë për të marrë më shumë, është e lehtë ta parashikosh, kur ndodh të marrësh më pak, ndonjëherë nuk parashikohet”, deklaroi Rama.
Ai foli edhe për punën e ekipit negociator shqiptar në Bruksel, duke ironizuar burokracinë europiane dhe procesin e negociatave, të cilin e krahasoi me një lloj torture që, sipas tij, nxjerr më të mirën nga vendet kandidate.
“Ne kemi punuar shumë, kemi dhe ne ato pengesat e brendshme dhe, pavarësisht tyre, jemi siguruar që ekipi ynë të jetë në kohë në Bruksel, me këta burokratë që janë alienë në botën reale, që dinë kaq mirë të të torturojnë dhe të nxjerrin më të mirën. Kështu që zgjedh, nëse i reziston torturës, fiton; nëse jo, shkon për dreq”, u shpreh kryeministri.
Rama për protestat: Kishim dyfish më shumë policë të dëmtuar se protestues
Një pjesë e rëndësishme e intervistës iu kushtua edhe protestave që kanë përfshirë Shqipërinë gjatë muajve të fundit, duke nisur nga tubimi i njohur si “Revolucioni Flamingo” në fund të majit, deri te protestat e studentëve më 13 tetor.
Rama u përpoq ta lidhë situatën e krijuar në vend me një realitet më të gjerë që, sipas tij, po përballet edhe Europa dhe demokracitë perëndimore. Ai u ndal te bilanci i personave të lënduar gjatë protestave, duke përsëritur pretendimin e tij se numri i efektivëve të policisë të dëmtuar ishte dy herë më i lartë se ai i protestuesve.
“Kishim protestues të dhunshëm dhe, ndryshe nga çdo vend tjetër që u përball me protesta, kishim dyfish më shumë policë të dëmtuar në krahasim me protestuesit. Por në mediat sociale shfaqej ndryshe”, deklaroi Rama.
Gazetarja Maria Tadeo i kujtoi se protestuesit mund të kenë një këndvështrim tjetër për këtë çështje, pasi policia është e armatosur, ndërsa protestuesit jo.
Pyetjes së saj, kryeministri iu përgjigj me ironi: “Po më provokon apo e ke seriozisht? Po më provon që të kemi debat mbi interesat?”.
Më tej, Rama u shpreh se është i gatshëm të ndryshojë dhe se nuk e konsideron veten një drejtues që nuk ka më nevojë të përmirësohet. Ai përmendi edhe ndryshimet që, sipas tij, qeveria po ndërmerr pas protestave të fundit, përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale (AI).
“Ditën që do të mendoj se unë nuk kam nevojë të ndryshoj, atëherë do ta lë këtë punë. Unë dua të ndryshoj. Jeta ime është në ndryshim edhe në shumë aspekte, edhe në martesë”, u shpreh ai.
Kryeministri pretendoi se ajo që po ndodh në Shqipëri nuk lidhet vetëm me qeverinë, por edhe me një realitet të ri social dhe politik, ku ndikimi i rrjeteve sociale dhe përplasja e perceptimeve po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme.
Sipas tij, mbrojtja e mendjes së të rinjve dhe fëmijëve është një nga sfidat kryesore për demokracinë europiane.
“Ajo që ka nevojë për mbrojtje është mendja e të rinjve dhe fëmijëve, tani që janë krejt të pambrojtur dhe brenda mendjes së të cilëve, larg qoftë, mund të lindë Europa e së nesërmes, e drejtuar nga një lloj krejt ndryshe njerëzish”, tha Rama.
Ai theksoi se nuk po relativizon pretendimet e protestuesve, por sipas tij, shoqëria po përballet me një përplasje të realiteteve të ndryshme, e cila sapo ka nisur.
“Nuk ma dhatë ju këtë punë, por populli shqiptar”
I pyetur për mundësinë e dialogut me protestuesit dhe kërkesat e tyre për largimin e tij nga detyra, Rama deklaroi se është i gatshëm të përballet dhe të diskutojë me qytetarët, por u ankua se protestuesit nuk pranojnë dialog.
“Unë jam një njeri që gjithmonë kërkoj të përballem me njerëzit, të sfidoj dhe të sfidohem, por nuk është e lehtë të thuash: ‘Po protestoj, por për çfarë? Eja diskutojmë’. Jo, më thonë duhet të ikësh, nuk dialogojmë. Më falni, por këtë punë nuk ma dhatë ju, por populli shqiptar”, deklaroi kryeministri.
Ai la të kuptohej se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, pavarësisht protestave dhe kërkesave të opozitës e protestuesve për largimin e tij.
Sipas Ramës, ndryshe nga vendet e tjera ku protestat përfshijnë masa të gjera qytetarësh, në Shqipëri bëhet fjalë për një numër të vogël personash që kërkojnë largimin e qeverisë.
Rama për Serbinë: Nuk shoh hapje për çështjen e Kosovës
Gjatë intervistës, kryeministri u ndal edhe te marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës, duke shprehur skepticizëm për mundësinë e ndryshimit të qëndrimit të Beogradit.
I pyetur nga gazetarja për zhvillimet politike në Serbi dhe ndikimin e tyre në raportet me Kosovën, Rama u përgjigj me ironi se nuk kishte informacion për atë që po ndodhte në udhëheqjen serbe, por theksoi se nuk shihte shenja hapjeje për çështjen e Kosovës.
“Fituesi në Beograd nuk tregon hapje për atë që është çështja më e dashur për mua, që është çështja e Kosovës. Janë tërësisht të mbyllur, çka nënkupton se muzika nuk do të ndryshojë”, deklaroi ai.
Rama theksoi se Serbia është një vend i rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor dhe se nuk duhet lejuar që të largohet nga rruga europiane. Megjithatë, sipas tij, Beogradi duhet të tregojë rezultate konkrete, jo vetëm për Kosovën, por edhe për qëndrimin ndaj Rusisë.
“Serbia duhet të tregojë rezultate dhe duhet ta meritojë plotësisht këtë përkatësi”, u shpreh kryeministri.
Mali i Zi drejt BE-së, Rama: Nuk i dihet me Bashkimin Europian
Në fund, Rama komentoi edhe perspektivën e anëtarësimit të Malit të Zi, për të cilin është diskutuar mundësia e hyrjes në BE brenda dy viteve, si dhe pozicionin që mund të ketë Shqipëria pas tij.
Kryeministri u tregua i kujdesshëm për afatet e integrimit, duke kujtuar se gjatë viteve ka parë objektiva të Bashkimit Europian që nuk janë realizuar në kohë.
“Nuk jam aq i ri në këtë detyrë dhe kam parë gjëra që nuk do t’i besonit. Shoh afate që janë fashitur rrugës, sesi BE nuk ka realizuar detyrat e veta, por edhe sesi BE ka bërë më shumë seç pritej. Nuk i dihet me BE-në”, tha Rama.
Megjithatë, ai përsëriti se Shqipëria po punon për të përmbushur të gjitha detyrimet dhe për të mbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027.
“Kjo do të jetë thelbësore, sepse tregon se ne e kemi bërë punën tonë”, përfundoi kryeministri.



