Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Sali Berisha dhe Partia Demokratike kanë kaluar nga akuzat e drejtpërdrejta për korrupsion ndaj Erion Veliajt, te denoncimi i pretendimeve të tij për kërcënime dhe shantazh nga qeveria. Reagimi i fundit i opozitës pas letrës së kryebashkiakut nga burgu i Fierit ka rikthyer në vëmendje qëndrimet e mëparshme të demokratëve, të cilët për vite me radhë e kanë cilësuar Veliajn si një nga figurat kryesore të aferës së inceneratorit të Tiranës.
Më 2 nëntor 2026, Partia Demokratike reagoi pas publikimit të letrës së Veliajt, ku ky i fundit pretendon se kryeministri Edi Rama i ka përcjellë, përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, kërkesën për të hequr dorë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe paralajmërime për akuza të tjera penale nëse nuk pranonte kushtet e pretenduara.
PD i cilësoi këto pretendime si kërcënime mafioze dhe kërkoi hetim urgjent ndaj Ramës, Gogut dhe Arbër Hajdarit. Në deklaratën e saj, opozita pretendoi gjithashtu se jeta e Veliajt në burgun e Fierit është në rrezik serioz.
Por ky reagim bie në kontrast me gjuhën që vetë Berisha ka përdorur ndaj kryebashkiakut të Tiranës. Në shkurt të vitit 2023, ai e akuzonte Veliajn se kishte përfituar miliona euro nga pagesat për mbetjet dhe deklaronte se në fushën e Sharrës nuk kryhej djegia e mbetjeve, pavarësisht pagesave që bëheshin. Berisha e akuzonte atë për përfitime të paligjshme dhe e lidhte drejtpërdrejt me aferën e inceneratorit.
Në korrik të vitit 2023, Berisha e vendoste Veliajn, Edi Ramën dhe Engjëll Agaçin në qendër të asaj që e quante aferë të inceneratorit të Tiranës. Ai deklaronte se ata ishin pronarët apo aksionerët kryesorë të kësaj afere dhe e akuzonte kryebashkiakun se kishte ndërmarrë veprime për t’i hapur rrugë koncesionit.
Edhe në shtator të po atij viti, kreu i PD-së e cilësonte Veliajn si “dorën e zezë” të vjedhjes së inceneratorit të Tiranës, duke pretenduar se ai kishte firmosur financimin e projektit pa vendimet e nevojshme të institucioneve vendore. Këto ishin akuza politike të Berishës, të cilat ai i shoqëronte me kërkesën që drejtësia të hetonte rolin e kryebashkiakut.
Sulmet nuk mbetën vetëm në deklaratat e Berishës. Në maj të vitit 2024, Belind Këlliçi, në atë kohë anëtar i Kryesisë së PD-së, njoftonte se kishte depozituar në SPAK një kallëzim të ri ndaj Veliajt, të shoqëruar me 174 faqe dokumente. Këlliçi pretendonte se dokumentet provonin lidhjet e kryebashkiakut me biznesin e trajtimit dhe riciklimit të mbetjeve në Tiranë.
Edhe në shtator të vitit 2025, kur u diskutua shkarkimi i Veliajt nga detyra, Berisha deklaronte se nuk kishte asnjë keqardhje për të. Ai kujtonte se PD kishte organizuar 46 protesta kundër kryebashkiakut dhe se këshilltarët demokratë do të votonin për largimin e tij. Në një tjetër deklaratë, më 22 shtator, Berisha pretendonte se Veliaj ishte përgjegjës për zhdukjen e 130 milionë eurove të inceneratorit të Tiranës.
Në shtator 2025, ai pretendonte se kryebashkiaku po trajtohej në mënyrë çnjerëzore në burg dhe se Rama po bënte gjithçka për ta larguar përfundimisht nga skena politike.
Pra, deri para pak kohësh Berisha e paraqiste Veliajn si një nga përgjegjësit kryesorë të aferës së inceneratorëve, ndërsa sot del në krah të tij.



