KreuDrejtësiaDrejtësia në shënjestër/ Tetë gjyqtarë e prokurorë kërkojnë mbrojtje nga kërcënimet

Drejtësia në shënjestër/ Tetë gjyqtarë e prokurorë kërkojnë mbrojtje nga kërcënimet

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Tetë magjistratë në Shqipëri, mes tyre gjashtë prokurorë dhe dy gjyqtarë, janë aktualisht nën masa mbrojtjeje për shkak të kërcënimeve dhe rreziqeve që lidhen me ushtrimin e detyrës. Shifra është evidentuar në raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë 2026, i cili ngre shqetësime për sigurinë e njerëzve që hetojnë dhe gjykojnë çështjet më të ndjeshme të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Raporti vë në dukje se, pavarësisht masave të marra nga institucionet, nuk ka pasur përparim të mjaftueshëm në garantimin e sigurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Një nga ngjarjet që e bëri edhe më të dukshme këtë problem ishte vrasja e gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Astrit Kalaja, më 6 tetor 2025, brenda sallës së gjyqit, gjatë ushtrimit të detyrës.

Edhe një vit pas kësaj ngjarjeje, organizatat përfaqësuese të gjyqtarëve dhe prokurorëve ngrenë shqetësimin se institucionet e drejtësisë nuk kanë një strukturë të posaçme policore për sigurinë e gjykatave dhe prokurorive. Në një deklaratë të përbashkët të 5 nëntorit 2026, Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve kërkuan krijimin e një njësie të specializuar për mbrojtjen e institucioneve të drejtësisë, si dhe ngritjen e një mekanizmi për vlerësimin e kërcënimeve ndaj magjistratëve dhe familjarëve të tyre.

Sipas tyre, mungon një mekanizëm funksional për të identifikuar rrezikun dhe për të garantuar mbrojtjen e atyre që janë të ekspozuar ndaj kërcënimeve. Organizatat paralajmërojnë se siguria e magjistratëve nuk mund të trajtohet si çështje individuale, por si një garanci për funksionimin e pavarur të drejtësisë.

Shqetësimet nuk lidhen vetëm me sigurinë fizike. Komisioni Europian evidenton se gjatë periudhës së raportimit kanë vijuar përpjekjet për ndikim të padrejtë mbi institucionet e drejtësisë, si dhe sulmet publike ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në raport përmenden edhe reagimet e forta nga përfaqësues të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ ndaj vendimeve dhe veprimeve të SPAK, veçanërisht në çështjet që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë.

Edhe vetë SPAK, në raportin vjetor për vitin 2025, ka paralajmëruar për rritjen e kërcënimeve që vijnë nga krimi i organizuar. Prokuroria e Posaçme thekson se hetimi i korrupsionit në nivelet e larta dhe i grupeve kriminale paraqet vështirësi të konsiderueshme, ndërsa retorika politike dhe mediatike kundër institucionit mund të ndikojë në perceptimin publik dhe të nxisë shtimin e kërcënimeve ndaj tij.

Ndërkohë, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka miratuar masa shtesë për sigurinë në gjykata. Në janar 2026 u miratuan 29 pozicione të reja për personel sigurie. Megjithatë, raporti europian vëren se në praktikë nuk janë konstatuar përmirësime të dukshme në sigurinë fizike të ambienteve gjyqësore, përfshirë funksionimin e detektorëve të metaleve dhe masave të tjera mbrojtëse.

Kontrasti është i dukshëm, ndërsa SPAK vijon hetimet ndaj zyrtarëve të lartë dhe grupeve kriminale, vetë sistemi që duhet të garantojë ndëshkimin e tyre përballet me probleme në mbrojtjen e njerëzve që zbatojnë ligjin.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat