KreuDrejtësiaDy dosje në GJKKO, një emër/ Mediu mes Gërdecit dhe Partizanit

Dy dosje në GJKKO, një emër/ Mediu mes Gërdecit dhe Partizanit

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, vazhdon të jetë në qendër të dy çështjeve të rëndësishme që po trajtohen nga drejtësia. Ndërsa këtë të hënë është paraqitur në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), ku ka dëshmuar në procesin gjyqësor për dosjen “Partizani”, ndaj tij po zhvillohet gjithashtu gjykimi për tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe rreth 250 të tjerë u plagosën.

Në seancën e sotme për dosjen “Partizani”, Mediu u përpoq të distancohej nga përgjegjësia për procedurat që çuan në privatizimin e ish-kompleksit sportiv. Ai pretendoi se nuk kishte pasur asnjë komunikim me pronarët e tokës dhe se kishte zbatuar një proces të nisur nga qeveria paraardhëse.

“Absolutisht jo, asnjëherë të vetme nuk kam pasur një diskutim për këtë gjë me asnjë pronar”, deklaroi Mediu, duke shtuar se nisma për privatizimin kishte mbërritur në Ministrinë e Mbrojtjes përmes një shkrese të Ministrisë së Ekonomisë, gjatë qeverisë së mëparshme.

Sipas tij, në fund të vitit 2006, pronarët kishin paraqitur një ankim në Ministrinë e Mbrojtjes, pasi kundërshtonin që procesi të ndiqej përmes Klubit Partizani dhe jo drejtpërdrejt prej tyre.

Mediu argumentoi se një ministër nuk mund të injoronte një kërkesë të nisur nga qeveria pararendëse dhe se ai kishte ndjekur procedurat administrative të trashëguara. Ai u përpoq gjithashtu të zhvendoste përgjegjësinë për përmbajtjen e dokumenteve te strukturat që i kishin përgatitur ato.

“Përmbajtja e një materiali të tillë nuk është përgjegjësi e Ministrit të Mbrojtjes, por e atyre që e kanë propozuar dhe përpiluar atë shkresë”, tha ai, duke pretenduar se prokuroria duhej të kishte administruar të gjithë praktikën e brendshme të ministrisë.

Kjo është linja e mbrojtjes që Mediu paraqiti në gjykatë: se nuk ka ndërhyrë personalisht në proces, se ka ndjekur një procedurë të nisur më herët dhe se përgjegjësia për dokumentacionin u takonte strukturave administrative.

Por për ish-ministrin, kjo nuk është çështja e vetme ku duhet të përballet me drejtësinë.

Gërdeci, dosja që u mbyll në vitin 2009 dhe u rikthye pas 12 vitesh

Historia e Mediut me drejtësinë për Gërdecin nis menjëherë pas shpërthimit të 15 marsit 2008. Në atë kohë, ai mbante postin e ministrit të Mbrojtjes në qeverinë e Sali Berishës dhe u përfshi në hetimet për përgjegjësinë institucionale në procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve.

Shpërthimi në ambientet e ish-Brigadës së Tankeve në Gërdec shkaktoi 26 viktima dhe rreth 250 të plagosur. Fabrika e demontimit funksiononte në një zonë të banuar, ndërsa procesi lidhej me kontrata për çmontimin dhe shitjen e municioneve.

SPAK e akuzon Mediun për dy episode të shpërdorimit të detyrës, të kryera në bashkëpunim. Një sipas Kodit Penal dhe një tjetër sipas Kodit Penal Ushtarak, në bashkëpunim me kuadro komandues ushtarakë.

Sipas akuzës, gjatë procesit të demontimit janë nxjerrë akte nënligjore në kundërshtim me ligjin dhe me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 138, datë 14 mars 2007. Këto akte, sipas SPAK, kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit dhe kanë krijuar avantazhe të padrejta për kompanitë SAC dhe Albademil. Hetimet kanë përfshirë edhe procedurat e shitjes së municioneve për kompanitë Evdin Ltd dhe AEY.

Si u mbyll dosja në vitin 2009

Një nga momentet më të rëndësishme të kësaj çështjeje është mënyra se si procesi ndaj Mediut u ndërpre në vitin 2009.

Pas rizgjedhjes si deputet, mbrojtja e tij ngriti argumentin se, për të vazhduar procedimin penal, duhej një autorizim i ri nga Kuvendi për heqjen e imunitetit. Më 14 shtator 2009, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi pushimin e çështjes penale ndaj tij.

Në këtë mënyrë, për vite me radhë, Mediu nuk u përball me një vendim gjyqësor përfundimtar mbi përgjegjësinë e tij për akuzat që lidheshin me Gërdecin.

Por kjo nuk ishte fundi i çështjes.

Në vitin 2021, familjarë të viktimave, mes tyre familja Durda, kërkuan ndërhyrjen e SPAK për të rikthyer para drejtësisë ish-ministrin. Në qendër të kërkesës ishte pikërisht fakti se çështja ishte mbyllur për arsye procedurale dhe jo pas një shqyrtimi në themel të përgjegjësisë penale.

SPAK iu drejtua drejtësisë për të revokuar vendimin e vitit 2009. Fillimisht, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë nuk e pranoi kërkesën, duke ngritur argumentet e kalimit të afateve ligjore dhe mungesës së provave të reja.

Por më 24 shtator 2021, Apeli i GJKKO-së vendosi të revokojë vendimin e pushimit të vitit 2009, duke i hapur rrugë rifillimit të procedimit penal.

Një nga argumentet e rëndësishme të gjykatës ishte se Mediu nuk ishte gjykuar më parë në themel për këtë çështje. Gjithashtu, gjykata mori në konsideratë faktin se imuniteti i tij ishte hequr në vitin 2012 dhe se nuk ekzistonin pengesat që pretendonte mbrojtja.

Nga parashkrimi te kundërshtimi i ekspertëve, si po mbrohet Mediu në gjyq

Pas rikthimit të çështjes, Mediu dhe mbrojtja e tij kanë kundërshtuar vazhdimisht bazën ligjore dhe provat e paraqitura nga SPAK.

Një prej linjave kryesore të mbrojtjes ka qenë pretendimi se çështja është e parashkruar dhe se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për vazhdimin e gjykimit. Mediu ka kundërshtuar gjithashtu vetë mënyrën e rihapjes së dosjes, duke e cilësuar procesin një sajesë politike.

Një tjetër argument i përsëritur është se ish-ministri nuk mund të mbajë përgjegjësi për vendimet teknike të strukturave ushtarake. Ai pretendon se klasifikimi i municioneve, kalibrat, transporti dhe çështjet e sigurisë ishin përgjegjësi e strukturave ushtarake dhe jo e ministrit, të cilin e cilëson si funksionar civil.

Në seancën e 24 shtatorit 2025, Mediu kundërshtoi edhe akt-ekspertizën tekniko-ushtarake të paraqitur nga prokuroria, duke vënë në dyshim nivelin profesional të ekspertëve dhe përfundimet e tyre. Ai pretendoi se përgjegjësia për çështjet ushtarake i takonte Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe stafit ushtarak.

Në shkurt të vitit 2026, ai kundërshtoi edhe interpretimin e provave për shkakun e shpërthimit, duke pretenduar se ekspertët amerikanë nuk kishin përcaktuar një shkak konkret për zjarrin. Sipas tij, provat e prokurorisë nuk e lidhin atë me ngjarjen dhe nuk provojnë përgjegjësi personale.

Në mars 2026, Mediu doli sërish në një konferencë për mediat, ku e cilësoi procesin si të motivuar politikisht. Ai pretendoi se hetimet nuk kishin zbuluar përfitime personale, transaksione financiare apo lidhje korruptive të tij me kompanitë SAC dhe Albademil.

Ish-ministri këmbëngul se nuk po gjykohet për korrupsion, por për shpërdorim detyre dhe se akuza nuk lidhet drejtpërdrejt me shpërthimin dhe pasojat e tij. Këto janë pretendimet e mbrojtjes, ndërsa SPAK ka paraqitur akuzat e veta për shkeljet në procesin e demontimit të municioneve.

Një tjetër problematikë e procesit ka qenë zgjatja e tij në kohë. Gjatë periudhës së gjykimit janë shtyrë 48 seanca. Ndërkohë, mbrojtja ka ngritur edhe kundërshtime për përbërjen e trupit gjykues dhe ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares, duke pretenduar problematika në mënyrën e zhvillimit të procesit.

Dy dosje, dy role të ndryshme përballë drejtësisë

Ndërsa në dosjen “Gërdeci” Mediu është i pandehur dhe përballet me akuza për shpërdorim detyre, në çështjen “Partizani” ai është thirrur si dëshmitar.

Në këtë të fundit, dëshmia e tij lidhet me procedurat e privatizimit të ish-kompleksit sportiv dhe veprimet e Ministrisë së Mbrojtjes në atë kohë. SPAK pretendon se gjatë qeverisjes së Berishës janë ndërmarrë veprime për të favorizuar Jamarbër Malltezin në përfitimin e pronës.

Fakti që Mediu sot jep shpjegime në një proces ku është dëshmitar, ndërsa në një tjetër përballet me akuza penale për një tragjedi ku humbën jetën 26 persona, e vendos sërish ish-ministrin përballë vëmendjes së drejtësisë.

E Vërteta.al

“Ke vrarë 26 veta”/ Akuza ndaj Fatmir Mediut për tragjedinë e Gërdecit

18 vjet nga Tragjedia e Gërdecit/ Familjarët: Procesi ndaj Fatmir Mediu është i vonuar

Gërdeci kërkon llogari/ A do t’i shpëtojë Fatmir Mediu përgjegjësisë?

Tragjedia e Gërdecit/ 26 viktima dhe justifikimi i paturpshëm i Fatmir Mediut

Fatmir Mediu sulmon familjarët e viktimave të Gërdecit

Nën hetim për Gërdecin/ Fatmir Mediu lobon në SHBA

“Gërdeci”/ Tentativat e Fatmir Mediut për të justifikuar tragjedinë

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat