KreuDrejtësiaRama nuk është nën hetim për “Albanian Files”/ SPAK po verifikon vetëm...

Rama nuk është nën hetim për “Albanian Files”/ SPAK po verifikon vetëm pretendimet e kallëzuesve

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka regjistruar një procedim penal pas kallëzimit të depozituar nga një grup ekspertësh, aktivistësh dhe protestuesish për çështjen e njohur si “The Albanian Files”, që lidhet me projektet turistike dhe vendimmarrjet për zhvillimin e territorit në disa zona të Shqipërisë.

Lajmi për regjistrimin e procedimit ka sjellë raportime që e paraqesin çështjen si një hetim ndaj kryeministrit Edi Rama. Megjithatë, hetimi është tjetër gjë, dhe pretendimet  dhe verifikimi janë po tjetër gjë.

Nga informacionet e bëra publike deri tani, nuk rezulton që Edi Rama të jetë regjistruar nominalisht si person nën hetim apo i pandehur në këtë çështje. Regjistrimi i procedimit do të thotë se SPAK po verifikon faktet dhe dyshimet e ngritura nga kallëzuesit, por nuk përbën konfirmim të vërtetësisë së pretendimeve të tyre dhe as provë të përgjegjësisë penale të personave të përmendur.

Sipas raportimeve, në një shkresë të datës 6 nëntor, të firmosur nga drejtuesi i SPAK, Klodjan Braho, kallëzuesit janë informuar se procedimi penal nr. 97 është regjistruar më 10 shtator 2026 dhe aktualisht ndodhet në fazën e hetimit. Kallëzimi ishte dorëzuar më 12 gusht të këtij viti.

Në kallëzim përmenden kryeministri Edi Rama, funksionarë të tjerë publikë dhe subjekte private, ndërsa kërkohet verifikimi i vendimmarrjeve institucionale që lidhen me projektet turistike në Zvërnec, Baks-Rrjoll dhe Divjakë-Karavasta.

Kallëzuesit kanë ngritur dyshime për shpërdorim detyre, ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë, korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë dhe grup të strukturuar kriminal. Ata pretendojnë se ndryshimet ligjore, procedurat e planifikimit dhe vendimet për dhënien e lejeve kanë favorizuar zhvillimin e projekteve të caktuara turistike.

Në mbështetje të kallëzimit janë përdorur edhe materialet e publikuara në kuadër të “The Albanian Files”, si dhe një bazë të dhënash që përmban 252 vendime të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT).

Çfarë po verifikon SPAK?

Në fokus të kallëzimit janë vendimmarrjet për zhvillimet turistike në zona me status të veçantë mbrojtjeje, procedurat për miratimin e planeve urbanistike, ndryshimet ligjore dhe mënyra se si janë dhënë lejet për investimet.

Fakti, që SPAK ka regjistruar një procedim penal nuk do të thotë se ka konfirmuar shkeljet e pretenduara, se ka identifikuar autorët e tyre apo se ka ngritur akuza ndaj personave të përmendur në kallëzim.

Është pikërisht hetimi ai që duhet të përcaktojë nëse ekzistojnë elemente të veprave penale, nëse vendimmarrjet institucionale kanë shkelur ligjin dhe nëse ka përgjegjësi konkrete të zyrtarëve apo subjekteve private.

Pra, çështja konsiderohet si një procedim penal i regjistruar mbi bazën e pretendimeve të kallëzuesve dhe jo si një hetim i konfirmuar ndaj Edi Ramës.

Prokuroria do të duhet të verifikojë dokumentacionin, vendimet dhe procedurat e përfshira në kallëzim përpara se të përcaktojë nëse ka përgjegjësi penale dhe ndaj kujt.

E Vërteta.al

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat