Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar dënimin me 2 vite burg për kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Beci, i akuzuar për shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike.
Në konkluzionet përfundimtare të paraqitura në Gjykatën e Posaçme, SPAK ka kërkuar që dënimi me burg të konvertohet në 4 vite shërbim prove. Nëse gjykata pranon kërkesën e prokurorisë, Beci nuk do ta vuajë dënimin në qeli, por do t’i nënshtrohet një periudhe katërvjeçare prove, me kushtet dhe detyrimet që përcakton gjykata.
Çështja lidhet me një tender me vlerë rreth 700 mijë euro, të zhvilluar gjatë kohës kur Benet Beci drejtonte Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH).
Procedura e prokurimit kishte si objekt “Zhvillimin Strategjik të Sektorit Energjetik”, ndërsa sipas hetimeve, Beci, në bashkëpunim me gjashtë vartës të tij, dyshohet se ka ndërhyrë në procesin e tenderimit për të favorizuar kompaninë fituese “Consulting & Management Albania” sh.p.k.
Sipas SPAK, parregullsitë kanë nisur që në hartimin e kritereve dhe dokumentacionit të tenderit, ku dyshohet se janë krijuar kushte të posaçme që i jepnin avantazhe dhe privilegje të padrejta kompanisë që përfundimisht fitoi procedurën.
Prokuroria pretendon se veprimet janë kryer në kundërshtim me legjislacionin për prokurimet publike dhe kanë cenuar barazinë mes operatorëve ekonomikë që konkurronin për kontratën.
Tashmë, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, pritet vendimi i Gjykatës së Posaçme, e cila do të vlerësojë provat dhe kërkesën e SPAK për dënimin e kryebashkiakut të Shkodrës.



