Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se përparimi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian lidhet drejtpërdrejt me krijimin dhe mbështetjen e institucioneve të pavarura të drejtësisë, të cilat, sipas tij, po luftojnë korrupsionin edhe në nivelet më të larta të pushtetit politik.
Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste, Rama u ndal te puna e organeve të drejtësisë, duke theksuar se fakti që ato kanë goditur edhe brenda radhëve të vetë PS-së është dëshmi e pavarësisë së tyre.
Kreu i qeverisë u shpreh se Shqipëria ka bërë përparim drejt BE-së pikërisht sepse ka krijuar dhe mbështetur institucione që luftojnë korrupsionin, ndërsa hodhi poshtë pretendimet se qeveria u mbyll gojën kritikëve.
Rama iu përgjigj edhe kritikave ndaj qeverisë, duke pretenduar se në hapësirën publike mbizotëron përmbajtja kundër saj. Sipas tij, 60% e përmbajtjes së prodhuar çdo ditë është kundër qeverisë, 30% neutrale dhe vetëm 10% në favor të saj.
“Ndryshe nga çfarë nxjerrin bulçitë e grykëve publike, shqiptarët janë mjaft të mençur ta kuptojnë se fakti që sot dhe prej kaq vitesh ka organe të pavarura drejtësie që godasin këtu brenda është rrjedhojë e së vërtetës së madhe se këtu është garancia e paprekshmërisë së pavarësisë së drejtësisë”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se rruga drejt Bashkimit Europian nuk ndërtohet duke u mbyllur gojën kritikëve të qeverisë, por përmes forcimit të institucioneve të pavarura dhe luftës kundër korrupsionit.



