Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho, ka shpjeguar se zgjatja e hetimeve për vrasjen e katër protestuesve gjatë demonstratës së 21 janarit 2011 lidhet me pritjen e përgjigjeve për kërkesat për ndihmë juridike të dërguara jashtë vendit.
I pyetur këtë të hënë nga gazetarët se përse hetimet për ngjarjen e rëndë po zgjasin prej kaq shumë kohësh, Braho u përgjigj shkurt se SPAK ka dërguar kërkesat përkatëse dhe është në pritje të përgjigjeve.
“SPAK dërgon kërkesat për ndihmë juridike dhe presim”, deklaroi kreu i Prokurorisë së Posaçme.
Një nga përgjigjet që SPAK pret lidhet me letërporosinë e dërguar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes së cilës është kërkuar ekspertimi i regjistrimeve audio të komunikimeve të Gardës së Republikës gjatë protestës së 21 janarit 2011.
Këto regjistrime konsiderohen pjesë e rëndësishme e hetimit për zbardhjen e rrethanave të vrasjes së katër protestuesve, të cilët humbën jetën nga të shtënat me armë zjarri gjatë demonstratës para Kryeministrisë.
Për këtë çështje, Braho kishte folur edhe më 30 korrik 2026, kur konfirmoi se autoritetet shqiptare nuk kishin marrë ende ekspertizën e kërkuar nga pala amerikane.
“Ne kemi dërguar letërporosinë, por ende nuk kemi marrë ekspertizën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ishte shprehur ai në atë kohë.
Kështu, edhe disa muaj pas deklaratës së korrikut, përgjigjja e Brahos tregon se hetimet vijojnë të varen nga bashkëpunimi me autoritetet e huaja dhe marrja e materialeve të kërkuara për ekspertim. Ngjarja e 21 janarit mbetet një nga dosjet më të ndjeshme të drejtësisë shqiptare, ndërsa familjarët e katër viktimave presin prej vitesh zbardhjen e plotë të përgjegjësive për vrasjet.



