Ola Mitre
Dy vjet e gjysmë pas reformës në sektorin e ujësjellës – kanalizimeve, që parashikoi bashkimin e shoqërive ekzistuese, janë krijuar 14 shoqëri rajonale, nga 15 që do të jenë në total.
Së fundmi Enti Rregullator i Ujit ka licencuar Shoqërinë Rajonale Vlorë, që do të ofrojë shërbim në Bashkitë e Vlorës, Selenicës dhe Himarës.
Ndërkohë që, me licencimin e kësaj shoqërie mbetet akoma pa u krijuar vetëm shoqëria Rajonale Tiranë, që përfshin bashkitë: Tiranë, Kamëz dhe Vorë.
Për t’u krijuar shoqëria rajonale është i nevojshëm miratimi nga Këshillat Bashkiakë, ndërsa në momentin që finalizohet bashkimi, bëhet ndarja e 49% të aksioneve midis bashkive, ndërsa 51% e tyre i kalojnë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Përmirësimi i situatës financiare ishte një nga objektivat kryesorë të reformës, ndërsa një vlerësim i Entit Rregullator të Ujit tregoi se në vitin 2023 u shënua përmirësimi me 13,7% i Mbulimit të Kostove të Operimit dhe Mirëmbajtjes, i Normës së Arkëtimit Korrente me 1.6% dhe asaj të përgjithshme me 4.7%.
Ndërkaq, përveç përmirësimit të situatës financiare synimi është unifikimi tarifor në të gjithë zonën e re të shërbimit. Sipas ERRU-së, për disa nga shoqëritë rajonale tarifat janë të përafërta nga zona në zonë, prandaj unifikimi tarifor është i mundshëm.
Ndërsa për disa të tjera duket mjaft i vështirë për shkak të diferencave të mëdha të tarifave të mbartura nga shoqëritë individuale të mëparshme. Për këtë arsye, ERRU thekson që në këto raste unifikimi tarifor duhet të realizohet në mënyrë graduale, duke vlerësuar gjendjen rast pas rasti.
Përpara reformës sektori operohej nga 58 shoqëri ujësjellës – kanalizime./SCAN