Pas rreth 3 orësh, protesta e opozitës e zhvilluar në Tiranë në kuadër të aksionit të mosbindjes civile, po shkon drejt përfundimit.

Fillimisht protesta u mbyll te sheshi Willson, atje ku u përdor edhe sasia më e madhe e ujit me presion ndaj mbështetësve të opozitës.

Më pas përfundoi te rrethrrotullimi te Zogu i Zi. Pika e tretë e mbylljes së protestës ishte te zona e pallatit me shigjeta.
Edhe në rrugën e Elbasanit rreth orës 20.00 protesta është mbyllur dhe ka nisur qarkullimi i mjeteve.

Ndërsa në sheshin para Bashkisë, Belind Këlliçi ka shpallur mbylljen e protestës.
Drejtuesi politik i PD-së për Tiranën, tha se protestuesit nuk u tërhoqën as kur policia përdori forcën dhe dhunën.
“Falënderoj të gjithë qytetarët e Tiranës, demokratët, opozitarët, këdo që iu përgjigj thirrjes së PD për këtë protestë.
Të nderuar protestues ju nuk u tërhoqët edhe pse ju goditën, ju dhunuan, ju lagën me ujë. Jemi të vendosur për të qëndruar përballë regjimit të narko-Kryeministrit, që e ktheu Shqipërinë në një narko-shtet.
Nipi i Enver Hoxhës, ministri i Brendshëm që vite më parë shtrohej në spitalet e Bukureshtit për shkak të overdozës, mendon se me dhunën policore do të mposhtë opozitën. Por gabohen, pasi do të jemi përballë tyre deri në fitore”, tha Këlliçi.
Kujtojmë se protesta nisi me përplasje mes protestuesve, deputetëve opozitarë dhe policisë. Ka pasur edhe persona që janë lënduar, por më pas ka vijuar e qetë.

Si nisi protesta dhe çfarë ndodhi?
Mbështetësit e PD u grumbulluan në orën 17.00 te sheshi wilson, kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit, Pallati me Shigjeta, Bashkia e Tiranës dhe Zogu i Zi. Për tre orë me radhë protestuesit mbajtën të paralizuar qarkullimin e automjeteve.

Nuk munguan përplasjet me forcat e rendit. Policia u kundërpërgjigj me ujë me presion dhe gaz lotsjellës. Te Bashkia e Tiranës autoboti i policisë shpërndau disa herë protestuesit, ndërsa një qytetare mbeti e lënduar.

Te sheshi Wilson gjithashtu policia përdori makinën e ujit, por edhe gazin lotsjellës. Situata ishte më e qetë te tre pikat e tjera të bllokuara ku nuk u shënuan incidente.












