back to top
14.5 C
Tirana
E martë, 21 Prill, 2026
spot_img
KreuAktualitet"Shqiptarët në Britani nën presion"/ Ambasadori denoncon mediat dhe politikanët

“Shqiptarët në Britani nën presion”/ Ambasadori denoncon mediat dhe politikanët

Ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, Uran Ferizi, ka ngritur shqetësimin për atë që ai e cilëson si një fushatë të padrejtë stigmatizimi ndaj shqiptarëve në Britani, duke akuzuar mediat dhe disa politikanë për nxitjen e një diskursi negativ.

Në një letër drejtuar gazetës britanike The Guardian, Ferizi kritikon ashpër “obsesionin” për ta paraqitur komunitetin shqiptar si problem në debatin për emigracionin, duke theksuar se kjo retorikë po ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të shqiptarëve që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas tij, shqiptarët po përballen me pasoja konkrete në shkolla, në vendet e punës dhe në jetën sociale, si rezultat i portretizimeve negative të përsëritura në media dhe nga figura politike, veçanërisht të krahut të djathtë.

Ambasadori akuzon disa media për keqinterpretim dhe keqraportim të statistikave që lidhen me kriminalitetin. Ai përmend një analizë të publikuar në vitin 2024, e cila pretendonte se një në 50 shqiptarë në Britani ndodhej në burg, duke e cilësuar këtë si manipulim të të dhënave.

Sipas Ferizit, kur statistikat analizohen në mënyrë të plotë dhe në raport me popullsinë reale, si dhe duke marrë parasysh faktorë si mosha, gjinia dhe të ardhurat, rezulton se shqiptarët kanë një normë burgosjeje të ngjashme me atë të qytetarëve britanikë.

Në letrën e tij, ai kritikon gjithashtu retorikën politike që, sipas tij, përdor shqiptarët si “kurban” në debatet për emigracionin. Ai shpreh zhgënjim të veçantë ndaj disa politikanëve me prejardhje emigrante, të cilët, sipas tij, mbajnë qëndrime të ashpra ndaj emigrantëve të rinj.

Ferizi e krahason situatën me stigmatizimin historik të komuniteteve të tjera emigrante në Britani, si hebrenjtë, irlandezët dhe polakët, duke theksuar se narrativa të tilla shpesh reflektojnë frikërat e kohës dhe jo realitetin e grupeve të targetuara.

Ai sjell edhe raste konkrete të diskriminimit, ku qytetarë shqiptarë kanë raportuar paragjykime në vendin e punës dhe në jetën sociale. Në disa raste, profesionistë kanë hezituar të shprehin hapur identitetin e tyre, ndërsa të tjerë janë përballur me etiketime negative vetëm për shkak të kombësisë.

Nga ana tjetër, një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme britanike theksoi se qeveria vlerëson komunitetin shqiptar dhe bashkëpunimin me Shqipërinë në luftën kundër migracionit të paligjshëm dhe kriminalitetit, duke shtuar se ligji zbatohet njësoj për të gjithë, pavarësisht kombësisë.

Deklaratat e ambasadorit vijnë në një moment kur debati mbi emigracionin në Britani mbetet i ndezur, ndërsa komuniteti shqiptar kërkon më shumë balancë dhe drejtësi në mënyrën si paraqitet në opinionin publik.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat