Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) ka nxjerrë konkluzionet për incidentin e ndodhur në një seancë gjyqësore mes prokurorit Gjergji Ceka dhe avokatit Uljan Bajrami, gjatë të cilës avokati u arrestua pas një debati.
Sipas ILD, prokurori nuk ka thyer disiplinën, por ka shkelur etikën dhe rregullat e solemnitetit në gjykatë. Raporti thekson se Ceka nuk ka qenë vetëpërmbajtur dhe ka marrë fjalën disa herë pa lejen e gjykatës, duke mos respektuar standardet më të larta etike në komunikim.
“Debati përmbante qëndrime nga avokati se do të merrej personalisht me prokurorin dhe oficerët e policisë, dhe kundërpërgjigjen e prokurorit se avokati do arrestohej për këto deklarime. Gjyqtarja i tërhoqi vëmendjen të dyve lidhur me etikën, duke u fokusuar tek faktet, që janë ato që bindin gjykatën,” deklaroi ILD për ngjarjen.
Për gjyqtaren Megi Strakosha, ILD konstaton se nuk ka shkelur rregullat e solemnitetit dhe sjelljes ndaj palëve.
ILD thekson se standardet etike nuk lidhen vetëm me përmbushjen e detyrave ligjore, por edhe me integritetin, ndershmërinë, vetëpërmbajtjen dhe diskrecionin gjatë dhe jashtë ushtrimit të detyrës. Personaliteti i magjistratëve dhe respektimi strikt i këtyre standardeve kanë rëndësi të veçantë për besueshmërinë e sistemit të drejtësisë dhe autoritetin e institucioneve shtetërore.
Sipas ILD, çështja e vlerësimit etiko-profesional të prokurorit do t’i drejtohet Këshillit të Lartë të Prokurorisë.



