Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Seanca plenare e kësaj të enjteje ka nisur me tensione, pasi deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren e Kuvendit që në momentet e para të saj. Në qendër të përplasjes ishte kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili komentoi protestën e zhvilluar në Tiranë dhe reagimin e policisë ndaj protestuesve.
Gjatë fjalës së tij, Berisha akuzoi policinë për dhunë ndaj të rinjve, duke pretenduar se gjatë ditëve të fundit janë përdorur mjete të rënda kundër protestuesve, me pasoja fizike.
“Java dhe ditët që kaluan, Tirana pa barbaritë më të mëdha ndaj të rinjve shqiptarë, barbaritë gjatë asnjë pushtimi. Në rrugët e Tiranës u thyen kocka, u çanë kafka, u përshtatën mjetet më të egra kundër të rinjve”, deklaroi Berisha nga foltorja e Kuvendit.
Më tej, kreu i PD-së e zhvendosi sulmin politik te deputetët e mazhorancës, duke përdorur një gjuhë të ashpër ndaj tyre.
“Këta parlamentarë që shihni këtu, janë më kriminelë se ata që thyejnë kocka dhe çajnë kafka. E meritojnë këta gazin lotsjellës, plumbat e gomës, kafkat e çara, kockat e thyera, sepse këta…”, tha Berisha, përpara se fjala e tij të ndërpritej.
Deklarata solli reagimin e menjëhershëm të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, i cili e cilësoi atë si thirrje për dhunë dhe vendosi t’i ndërpresë fjalën kreut të opozitës.
“Kjo është thirrje për dhunim. Ju hiqet fjala. Keni bërë thirrje për dhunë nga foltorja e Kuvendit. S’keni të drejtë fjale për gjithë ditën e sotme”, deklaroi Peleshi.
Përplasja mes palëve vijoi në sallë, ndërsa tensionet e krijuara nga opozita çuan në ndërprerjen e seancës plenare nga kryetari i Kuvendit.



