back to top
29.6 C
Tirana
E martë, 30 Qershor, 2026
spot_img
KreuAktualitetKronikë“I ke vjedhur ti paratë e shtetit”/ Bollino përplaset me Malltezin dhe...

“I ke vjedhur ti paratë e shtetit”/ Bollino përplaset me Malltezin dhe Këlliçin

Një përballje e pazakontë është regjistruar mesditën e kësaj të marte në ambientet e SPAK dhe Gjykatës së Posaçme, ku botuesi Carlo Bollino, Abi Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, dhe deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, janë përfshirë në një debat të drejtpërdrejtë lidhur me procesin gjyqësor për një sipërfaqe prej rreth 4 mijë metrash katrorë pranë ish-Parkut në Tiranë.

Debati lidhet me një sipërfaqe toke që, sipas Malltezit dhe Këlliçit, u përket familjeve tiranase. Sipas tyre, toka është shpronësuar nga shteti me argumentin se do të ndërtohej një shkollë, por më pas në atë truall është ndërtuar televizioni i Carlo Bollinos.

Përballja u shoqërua me akuza të ndërsjella, replika të forta dhe momente humori, ku secila palë mbrojti qëndrimin e saj për pronësinë e tokës dhe procesin gjyqësor.

Gjatë debatit, Carlo Bollino deklaroi se e ka marrë truallin me qira në vitin 2019, katër vite pas miratimit të ligjit përkatës, ndërsa paralajmëroi se do ta kallëzojë sërish Malltezin nëse, sipas tij, vazhdon me “këto përralla”.

“Unë e kam marrë atë tokë me qira në 2019, 4 vite më vonë, pas miratimit të atij ligji. Zotin Malltezi e kam kallëzuar dhe sot do e kallëzoj prapë nëse vazhdon me këto përralla”, tha Bollino.

Deputeti Belind Këlliçi iu përgjigj duke e cilësuar Bollinon si mik të kryeministrit Edi Rama.

“Ti je miku i Edi Ramës, unë këtu jam, përballem”, u shpreh Këlliçi.

Nga ana e tij, Abi Malltezi deklaroi se Bollino nuk është i qetë për shkak të çështjes së pronës.

“Siç e shikoni, zoti Bollino nuk është i qetë sepse toka e fisit Begeja është vjedhur”, tha Malltezi.

Bollino ndërhyri me pyetjen:

“A do vazhdojmë akoma?”

Malltezi vijoi replikën:

“Po nuk kam ardhur unë dhe Begeja në Leçe të vjedhim tokën tënde.”

Në një moment të debatit, të tre folën njëkohësisht, duke e bërë të pamundur kuptimin e plotë të replikave.

Më pas, Këlliçi akuzoi Bollinon për përfitime nga fondet publike.

“Nuk kam vjedhur unë paratë e shtetit, i ke vjedhur ti, e di mirë ti”, deklaroi deputeti demokrat.

Malltezi shtoi se Bollino nuk arrin të dëgjojë argumentet e tij.

“Zoti Bollino e ka stres fjalën time dhe nuk dëgjon dot më shumë se 1 minutë, ka humbur qetësinë”, tha ai.

Ndërsa Këlliçi iu drejtua Bollinos me fjalët:

“Ti je i vetmi që ndërpret njerëzit, nuk dëgjon dot.”

Në fund, Bollino u përgjigj:

“Sepse nuk duroj dot shpifjen.”

Përplasja u zhvillua në hyrje të SPAK dhe Gjykatës së Posaçme, ku palët po merrnin pjesë në procesin gjyqësor që lidhet me pronësinë e truallit pranë ish-Parkut në Tiranë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat