back to top
29.6 C
Tirana
E martë, 30 Qershor, 2026
spot_img
KreuAktualitetZbardhet emaili/ Qeveria loboi në PE: "Mos votoni amendamentet për Zvërnecin"

Zbardhet emaili/ Qeveria loboi në PE: “Mos votoni amendamentet për Zvërnecin”

Është zbardhur emaili që përfaqësues të qeverisë shqiptare u kanë dërguar deputetëve të Parlamentit Evropian, pak ditë para votimit të Raportit për Shqipërinë 2025, ku kërkohej të mos mbështeteshin dy amendamente që lidhen me projektin turistik në Zvërnec.

Dokumenti vjen në dritë një ditë pasi eurodeputetja gjermane Jutta Paulus, e cila mori pjesë edhe në protestën kundër projektit, deklaroi publikisht se kryeministri Edi Rama kishte ndërhyrë duke u kërkuar eurodeputetëve të mos votonin amendamentet që trajtonin çështjen e Zvërnecit.

Emaili mban datën 16 qershor 2026 dhe është dërguar nga ministrja Bora Muzhaqi, me kopje për drejtuesin politik të PS-së, Taulant Balla.

Në mesazh, eurodeputetëve u kërkohet në mënyrë të drejtpërdrejtë të mos votojnë amendamentet 4 dhe 17, me argumentin se ato “nuk bazohen në premisa të vërteta”, por janë produkt i një “fushate dezinformimi”.

“Amendamentet 4 dhe 17 nuk bazohen në premisa të vërteta, por janë rezultat i një fushate dezinformimi për të shtrembëruar të vërtetën, prandaj ju kërkojmë me respekt të MOS i mbështesni këto dy amendamente”, thuhet në email.

Në argumentimin e saj, qeveria u shpjegon eurodeputetëve se projekti në Zvërnec nuk ka marrë ende leje ndërtimi, por vetëm leje zhvillimi, e cila nuk autorizon nisjen e punimeve.

Po ashtu, theksohet se çdo fazë ndërtimi do t’i nënshtrohet një Vlerësimi të Thelluar të Ndikimit në Mjedis, i cili duhet të jetë në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe atë të Bashkimit Evropian.

Në email sqarohet gjithashtu se zona e Pishë Poro–Nartë vijon të gëzojë statusin e “Peizazhit të Mbrojtur” dhe se ky status nuk është ndryshuar. Një tjetër argument i paraqitur është se toka ku parashikohet zhvillimi është pronë private dhe se qeveria nuk është palë në transaksionet e pronësisë.

Dokumenti u bë publik në një moment kur protesta kundër projektit në Zvërnec ka hyrë në ditën e saj të 30-të dhe debati për investimin ka kaluar kufijtë e Shqipërisë, duke u diskutuar edhe në institucionet evropiane.

Publikimi i emailit pritet të shtojë polemikat politike, pasi opozitarët dhe aktivistët kanë akuzuar qeverinë për përpjekje për të zbutur kritikat në Parlamentin Evropian lidhur me projektin në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat