“Bordi i Paqes”, i krijuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, me qëllim mbikëqyrjen e rindërtimit dhe administrimit të pasluftës në Rripin e Gazës, pritet të mblidhet më 30 qershor në një resort në Qipro, raportojnë burime diplomatike për media ndërkombëtare.
Sipas dy zyrtarëve të lartë të Bashkimit Europian të përfshirë në përgatitjet e takimit, mbledhja do të zgjasë dy deri në tre ditë dhe fokusi kryesor do të jetë rishikimi i strategjisë së bordit, në një moment kur vëmendja ndërkombëtare për zhvillimet në rajon ka ndryshuar.
Në takim pritet të marrin pjesë përfaqësues të strukturës së njohur si “Komuniteti Kombëtar për Administrimin e Gazës”, si dhe zyra e ish-diplomatit bullgar Nikolai Mladenov, i cili më herët ka shërbyer si i dërguar i posaçëm për çështjen e Gazës. Qiproja do të ketë rol vëzhgues në këtë proces.
Ndërkohë, mbetet e hapur pjesëmarrja e vendeve të përfshira në nivel të lartë përfaqësimi, përfshirë edhe Shqipërinë, e cila është pjesë e këtij mekanizmi ndërkombëtar.
Sipas burimeve diplomatike, kryeministri Edi Rama në të njëjtën datë pritet të jetë në Gjermani në një vizitë pune që do të zgjasë deri më 1 korrik, çka e bën të paqartë nëse do të marrë pjesë në takimin e Qipros apo do t’i bashkohet në fazat e mëvonshme, duke qenë se mbledhja pritet të zgjasë disa ditë.
“Bordi i Paqes”, i konceptuar si një mekanizëm ndërkombëtar për mbikëqyrjen e rindërtimit shumë miliardë dollarësh të Gazës, ka zhvilluar më herët një takim fillestar në shkurt, por progresi i tij është ngadalësuar për shkak të sfidave financiare, logjistike dhe debatit mbi legjitimitetin ndërkombëtar të procesit.



