KreuAktualitetPolitikaBilanci i premtimeve të 11 majit 2025/ Çfarë u realizua dhe çfarë...

Bilanci i premtimeve të 11 majit 2025/ Çfarë u realizua dhe çfarë jo?

Një vit pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, premtimet elektorale mund të përballen me shifrat, vendimet dhe masat e marra nga qeveria. Nga paga minimale dhe pensionet te strehimi, punësimi dhe integrimi në Bashkimin Europian, disa prej zotimeve kanë hyrë në fazën e zbatimit, ndërsa të tjera janë ende objektiva për vitet e ardhshme.

Fushatat elektorale në Shqipëri shoqërohen zakonisht me lista të gjata premtimesh. Por pas përfundimit të zgjedhjeve, pyetja kryesore është më e thjeshtë se çfarë u bë realisht dhe çfarë mbeti vetëm në program?

Për zgjedhjet e 11 majit 2025, dy partitë kryesore, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, hynë në garë me programe të ndryshme ekonomike dhe sociale.

PS kërkoi një mandat të katërt me programin “Shqipëria 2030”, ndërsa PD-ASHM premtoi një paketë masash që kishte në qendër uljen e kostos së jetesës, rritjen e pagave dhe pensioneve, si dhe lehtësimin e barrës fiskale për biznesin dhe familjet.

Por çfarë ka ndodhur pas zgjedhjeve?

Paga minimale: nga 40 mijë në 50 mijë lekë

Një nga premtimet më konkrete të fushatës ishte rritja e pagës minimale. Në fund të vitit 2025, qeveria miratoi rritjen e pagës minimale nga 40 mijë në 50 mijë lekë, me hyrje në fuqi nga 1 janari 2026. Sipas Ministrisë së Financave, nga kjo masë parashikohej të përfitonin rreth 308 mijë të punësuar në sektorin publik dhe privat.

Pra, në këtë pikë premtimi nuk mbeti vetëm në program.

Por objektivi i qeverisë shkon më tej. Plani i publikuar nga Ministria e Financave parashikon që paga minimale të arrijë 60 mijë lekë në vitin 2028 dhe 70 mijë lekë në fund të mandatit.Kjo do të thotë se pjesa e realizuar deri tani është vetëm hapi i parë i premtimit afatgjatë.

Edhe shifrat e INSTAT tregojnë ndryshimin. Paga minimale ishte 40 mijë lekë gjatë periudhës nga tremujori i dytë i vitit 2023 deri në fund të vitit 2025, ndërsa nga tremujori i parë i 2026-ës ajo është 50 mijë lekë.

Po paga mesatare?

Në programet elektorale të vitit 2025, si PS ashtu edhe PD u fokusuan te rritja e pagave. Sipas një krahasimi të programeve të publikuar gjatë fushatës, të dyja partitë vendosën objektivin e një page mesatare prej 1200 eurosh.

Por një premtim i tillë nuk mund të konsiderohet i realizuar vetëm nga rritja e pagës minimale.

Sipas INSTAT, paga mesatare mujore bruto në Shqipëri ishte 90.119 lekë në tremujorin e parë të vitit 2026, duke u rritur me 9.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Pra, paga mesatare është rritur, por objektivi prej 1200 eurosh mbetet një objektiv për t’u arritur dhe jo një rezultat i realizuar. Kjo është një nga rastet ku duhet bërë dallimi mes “paga u rrit” dhe “premtimi u realizua”.

Pensionet

Pensionet ishin një tjetër nga temat kryesore të zgjedhjeve.

Qeveria ka nisur reformën e pensioneve dhe ka vendosur objektiva konkrete për vitet e ardhshme. Sipas Ministrisë së Financave, pensioni urban me vite të plota pune synohet të arrijë në 40 mijë lekë, nga 27.350 lekë, pensioni urban i pjesshëm në 22 mijë lekë, pensioni rural në 18 mijë lekë, ndërsa pensioni i invaliditetit në 30 mijë lekë.

Por këto janë objektiva të shtrira në kohë.

Ndërkohë, pensionistët kanë marrë edhe mbështetje të drejtpërdrejtë. Në mars 2025, rreth 730.430 pensionistë përfituan bonusin e pranverës, ndërsa qeveria ka miratuar edhe masa të tjera për indeksimin dhe shpërblimet e pensionistëve.

Pra, në rastin e pensioneve, tabloja është e ndarë. Disa masa janë zbatuar, ndërsa reforma dhe objektivat e rritjes së pensioneve vazhdojnë të jenë në proces.

Programi i strehimit

Një nga premtimet e mëdha të programit “Shqipëria 2030” ishte programi i strehimit. PS deklaroi se do të investonte 300 milionë euro me synimin për 50 mijë çelësa, ose 50 mijë dyer, për çifte të reja dhe profesionistë, ndërsa programi parashikonte edhe investime në kampuse universitare rezidenciale.

Ky është një nga premtimet që nuk mund të quhet ende i përmbushur vetëm mbi bazën e deklarimit të programit.

Pasi ende nuk dihet sa kontrata janë lidhur, sa banesa janë financuar dhe sa familje kanë marrë realisht mbështetjen.

Punësimi, çfarë tregojnë shifrat?

Një tjetër premtim elektoral lidhej me krijimin e vendeve të punës dhe rritjen e të ardhurave.

Të dhënat e ISSH-së tregojnë se numri i kontribuesve të drejtpërdrejtë në skemën e sigurimeve shoqërore arriti në 839.910 persona gjatë vitit 2025, rreth 31.5 mijë më shumë se në vitin 2024. Instituti raporton gjithashtu rritje prej 10.9% të të ardhurave kontributive kundrejt vitit 2024.

Këto janë të dhëna që tregojnë një rritje të numrit të kontribuesve, por për të vlerësuar një premtim elektoral duhet të analizohet edhe cilësia e vendeve të punës, pagat, informaliteti dhe sektori ku janë krijuar këto vende.

Integrimi në BE: Premtim politik, proces shumëvjeçar

Një tjetër objektiv madhor i PS ishte anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade.

Pas zgjedhjeve, procesi i integrimit vazhdon të jetë një nga prioritetet kryesore të qeverisë. Por ky është një premtim që nuk matet me një vendim të vetëm të qeverisë shqiptare. Anëtarësimi varet nga përmbushja e kapitujve të negociatave, reformat dhe vlerësimi nga institucionet europiane.

Prandaj, edhe këtu duhet bërë dallimi mes procesit të avancimit drejt BE-së dhe anëtarësimit real në BE. / E Vërteta.al (E.S)

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat