KreuDrejtësiaDebat politik për reformën në drejtësi/ A duhet të ndryshohet mandati i...

Debat politik për reformën në drejtësi/ A duhet të ndryshohet mandati i prokurorëve të posaçëm?

Në Kuvend u zhvillua një debat i fortë mes Ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja dhe përfaqësuesve të opozitës lidhur me propozimin për ndryshime në ligjin dhe Kushtetutën që lidhen me mandatin e prokurorëve të posaçëm të SPAK.

Manja u shpreh se është i gatshëm të iniciojë ndryshime kushtetuese për të lejuar zgjatjen e mandatit ose rikandidimin e prokurorëve të SPAK, të cilët aktualisht kanë një mandat 9-vjeçar pa të drejtë rizgjedhjeje. Sipas tij, kufizimi aktual ndikon në cilësinë e hetimeve, pasi prokurorët largohen pas përfundimit të mandatit edhe kur kanë akumuluar eksperiencë të rëndësishme.

“Prokurorët duhet të kenë të drejtën të rikandidojnë si të gjithë prokurorët e tjerë të sistemit. Përkohshmëria e cënon cilësinë e hetimit. Le ta ndryshojmë Kushtetutën,” u shpreh Manja, duke theksuar se kjo kërkon bashkëpunim politik dhe vota të përbashkëta.

Ai shtoi gjithashtu se e drejta për rikandidim është, sipas tij, një e drejtë kushtetuese dhe se debatet mbi këtë çështje janë të domosdoshme për të kuptuar qasjet politike.

Nga ana tjetër, deputetët e opozitës Oerd Bylykbashi dhe Gent Strazimiri kundërshtuan ashpër propozimin. Bylykbashi akuzoi se ligji aktual është votuar pa vëmendje nga shumica dhe se ndryshimi i rregullave tani lidhet me dosje të hapura hetimore.

“Komisioni i Venecias ka thënë ndryshe,” u shpreh Bylykbashi, duke iu referuar Komisioni i Venecias, ndërsa shtoi se qëndrimi i opozitës mbetet kundër ndryshimeve të shpejta.

Në replikë, Manja kundërshtoi interpretimet e opozitës, duke theksuar se rekomandimet e Venecias nuk janë detyruese dhe se ligjet mund të ndryshohen kur është e nevojshme. Debati u shoqërua me akuza të ndërsjella mbi mënyrën se si është votuar ligji aktual dhe mbi qëndrimet politike të palëve në procesin e reformës në drejtësi.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat