Shqipëria renditet në vendin e 43-të në botë nga 199 shtete të përfshira në një indeks global të lëvizjes pa viza, sipas të dhënave të Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror (IATA). Indeksi mat numrin e vendeve ku qytetarët e një shteti mund të udhëtojnë pa vizë paraprake.
Sipas të dhënave, qytetarët e Shqipëria mund të udhëtojnë pa vizë në një numër vendesh që e pozicionojnë vendin në mesin e listës globale, duke lënë pas një pjesë të madhe të shteteve, por duke mbetur ende larg vendeve me pasaportat më të forta në botë.
Në krye të renditjes qëndron Singapori me akses pa vizë në 192 shtete. Në vendin e dytë renditen Japonia, Koreja e Jugut dhe Emiratet e Bashkuara Arabe me 188 destinacione, ndërsa Suedia mban vendin e tretë me 187.
Në grupin e katërt renditen disa shtete të Bashkimit Evropian si Belgjika, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Irlanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia dhe Spanja, me akses pa vizë në 186 shtete. Në vendin e pestë qëndrojnë Austria, Greqia, Malta, Portugalia dhe Zvicra me 185 destinacione.
Në rajon, Sllovenia renditet e 7-ta me 183 vende, ndërsa Kroacia është e 8-ta me 182 vende. Serbia renditet në vendin e 34-të.
Ndërkohë, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë përmirësuar pozicionin e tyre dhe ndajnë vendin e 41-të, me akses pa vizë në 127 shtete, pesë destinacione më shumë se pasaporta shqiptare.



