KreuDrejtësiaGjykata e Posaçme kthen në SPAK dosjen ndaj Jonaid Myzyrit

Gjykata e Posaçme kthen në SPAK dosjen ndaj Jonaid Myzyrit

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kthyer për plotësim hetimesh dosjen ndaj ish-kreut të Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri, për të cilin SPAK kishte kërkuar pushimin e çështjes që lidhet me një tender me vlerë rreth 2.2 milionë euro.

Vendimi i Gjykatës i jep Prokurorisë së Posaçme një afat prej 45 ditësh për kryerjen e veprimeve shtesë hetimore, ku përfshihet edhe realizimi i një akt-ekspertimi të ri.

Myzyri u mor i pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera dhe ankande publike. Megjithatë, pas rreth një viti hetimesh, prokurori i SPAK, Elvin Gokaj, kërkoi pushimin e çështjes me argumentin se nga verifikimet e kryera nuk rezultonte që ish-kreu i KPP-së të kishte konsumuar elementët e veprës penale.

Përveç Myzyrit, SPAK ka kërkuar pushimin e hetimeve edhe për anëtarët e Komisionit të Prokurimit Publik, Vilma Zhupaj, Lindita Skeja, Merita Zeqaj dhe Enkeleda Bega.

Hetimi ndaj Myzyrit nisi pas marrjes së tij të pandehur në qershor të vitit 2025. Çështja lidhet me një tender të zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në shtator të vitit 2020, me vlerë rreth 2.2 milionë euro, për mirëmbajtjen e segmentit rrugor Rrëshen (Ura e Fanit)-Shpal, Shpal-Qafë Bene-Hadroj dhe Shpal-Ura e Repsit, me një gjatësi totale prej 59 kilometrash.

Sipas SPAK, gjatë procedurës së tenderimit janë konstatuar shkelje ligjore, të cilat Komisioni i Prokurimit Publik, i drejtuar në atë kohë nga Myzyri, nuk i ka marrë në konsideratë.

Prokuroria e Posaçme ka pretenduar se KPP ka favorizuar në kundërshtim me ligjin bashkimin e operatorëve ekonomikë “AEK Munella” dhe “Drini-1”, të cilët u shpallën fitues të kontratës. Sipas akuzës, kompanitë kanë paraqitur dokumentacion të falsifikuar gjatë procesit të prokurimit.

Me vendimin e fundit të GJKKO-së, çështja rikthehet sërish në fazën hetimore, ndërsa SPAK do të duhet të kryejë verifikime shtesë përpara se të vendoset për fatin përfundimtar të procedimit penal.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat