Detaje të reja kanë dalë në dritë nga aksidenti tragjik i ndodhur mëngjesin e kësaj të diele në fshatin Mengël, në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, ku humbi jetën një fëmijë vetëm 7 vjeç.
Sipas informacioneve paraprake, automjeti që drejtohej nga producenti i njohur Petri Bozo ka përplasur të miturin, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë.
Një banor i zonës, dëshmitar i ngjarjes, ka deklaruar se drejtuesi i mjetit pretendonte se po lëvizte me shpejtësi shumë të ulët në momentin e aksidentit.
“Ai tha se ishte duke ecur me 10 kilometra në orë. Tha: ‘Jam duke ecur në rrugë nacionale, kam të drejtën time, isha me 10 km/h’”, u shpreh dëshmitari për mediat.
Banori shtoi se segmenti ku ndodhi aksidenti konsiderohet problematik dhe se në të kaluarën janë regjistruar edhe ngjarje të tjera rrugore.
Ndërkohë, pamjet nga vendi i aksidentit tregojnë skena të rënda, ndërsa banorët e zonës kanë ngritur shqetësime për sigurinë në këtë segment rrugor dhe nevojën për masa parandaluese.
Policia e Elbasanit ka reaguar për ngjarjen, duke bërë të ditur se aksidenti ndodhi rreth orës 08:00 në aksin “Elbasan-Librazhd”.
“Në aksin rrugor ‘Elbasan-Librazhd’, automjeti me drejtues shtetasin P.B., 61 vjeç, ka përplasur një fëmijë rreth 7 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor në vendngjarje po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit”, njofton policia.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e plota të aksidentit dhe për të verifikuar rrethanat në të cilat ndodhi ngjarja e rëndë që tronditi komunitetin e zonës.



