KreuDrejtësiaVeliaj humb luftën në Administrative/ Gjykata refuzon kërkesën për emërimin e Ols...

Veliaj humb luftën në Administrative/ Gjykata refuzon kërkesën për emërimin e Ols Dados

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë ka vendosur të mos legjitimojë kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në procesin gjyqësor që ai ka ngritur për kundërshtimin e ligjshmërisë së emërimit të Ols Dados si prokuror.

Sipas vendimit të gjykatës, Veliaj nuk ka një interes të drejtpërdrejtë juridik në këtë çështje, por vetëm një interes të tërthortë, ndërsa Bashkia e Tiranës nuk ka asnjë interes ligjor që justifikon përfshirjen në proces. Për pasojë, gjykata nuk e ka legjitimuar kërkesën e tij për të vijuar padinë në këto kushte.

Po ashtu, trupa gjykuese ka rrëzuar edhe kërkesën e ish-prokurorit Tom Deda për t’u bërë palë në proces, si dhe atë të “Asociacionit për Median dhe Drejtësinë”, i cili kishte kërkuar të ndërhynte në gjykim duke argumentuar interesin publik të çështjes.

Seanca u shoqërua me debate mes palëve mbi ligjshmërinë e emërimit të Ols Dados dhe interesin juridik të personave dhe subjekteve që kërkuan të bëhen pjesë e procesit.

Kryebashkiaku Erion Veliaj mbërriti në Gjykatën Administrative në orët e mëngjesit, ku deklaroi se çështja që po shqyrtohet nuk lidhet vetëm me interesin e tij personal, por me besimin e qytetarëve te sistemi i drejtësisë.

Gjatë fjalës së tij, Veliaj pretendoi se në proces po krijohet një “asimetri”, duke theksuar se institucione të rëndësishme si Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Avokatura e Shtetit nuk po marrin pjesë në seancat gjyqësore.

“Është evidente që po krijohet asimetri. Ose KLP nuk tregon respekt për këtë gjykatë, ose ka kuptuar atë që di gjithë Shqipëria, që Ols Dado nuk është prokuror dhe kryebashkiaku është arrestuar. Mandati i kryetarit të bashkisë nuk mund të trajtohet si plaçkë. Dikush ka veshur uniformën e shtetit dhe më ka rrëmbyer nga zyra”, deklaroi Veliaj.

Ai shtoi se vendimi që do të merret nga gjykata ka rëndësi të veçantë për mënyrën se si qytetarët do të perceptojnë funksionimin e drejtësisë në vend.

“Nëse më rrëmbyen mua, mund të rrëmbejnë këdo tjetër. Është pesha e këtij gjykimi që duhet të rikthejë besimin te drejtësia. I mungoj shumë familjes sime në ditët më të vështira dhe i mungoj edhe bashkisë sime që e lash ndryshe”, u shpreh kryebashkiaku.

Një tjetër kërkesë e paraqitur gjatë seancës ishte ajo e “Asociacionit për Median dhe Drejtësinë”, i cili kërkoi të pranohej si palë në proces për shkak të interesit publik që, sipas tij, mbart çështja.

Përfaqësuesi ligjor i Veliajt, Plarent Ndreca, mbështeti kërkesën e shoqatës, duke argumentuar se ligjshmëria e statusit të një prokurori nuk përbën thjesht një debat individual, por lidhet drejtpërdrejt me të drejtën e qytetarëve për t’u informuar.

Sipas Ndrecës, vetë shoqata ka ngritur shqetësime lidhur me statusin ligjor të Ols Dados dhe me lidhjen e tij me dosjen e 21 Janarit. Ai argumentoi se pranimi i saj në proces nuk do të cenonte të drejtat procedurale të palëve dhe nuk do të sillte zvarritje të gjykimit.

“Kur statusi i një prokurori kontestohet si i paligjshëm, nuk kemi të bëjmë vetëm me kuriozitet publik, por me të drejtën për informim. Shoqata nuk do ta ngarkonte procesin gjyqësor, por do ta bënte atë më të plotë”, argumentoi ai.

Nga ana tjetër, avokati i Ols Dados kundërshtoi përfshirjen e shoqatës në proces, duke deklaruar se provat e paraqitura prej saj nuk justifikojnë ligjërisht ndërhyrjen si palë.

Sipas tij, bëhet fjalë për një akt administrativ individual dhe dokumentacioni i depozituar nga shoqata përbëhej nga njoftime procedurale të gjykatës, të cilat nuk krijojnë interes të ligjshëm për t’u bërë pjesë e gjykimit. Për këtë arsye, ai kërkoi rrëzimin e kërkesës së saj.

Po gjatë seancës, ish-prokurori Tom Deda kërkoi të pranohej si palë në procesin kundër Ols Dados, duke pretenduar se ishte larguar nga detyra pikërisht për t’i hapur rrugë emërimit të këtij të fundit. Megjithatë, Gjykata Administrative vendosi të mos e pranojë kërkesën e tij.

Në përfundim, Gjykata Administrative vendosi të mos legjitimojë kërkesën e Erion Veliajt për çështjen e emërimit të Ols Dados si prokuror, duke vlerësuar se ai ka vetëm interes të tërthortë dhe jo të drejtpërdrejtë në këtë proces. Njëkohësisht, u refuzuan edhe kërkesat e Tom Dedës dhe “Asociacionit për Median dhe Drejtësinë” për t’u bërë palë në gjykim.

Vendimi përbën zhvillimin e parë procedural në padinë e ngritur nga kryebashkiaku i Tiranës, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë hapa të mëtejshëm ligjorë nga palët e përfshira në këtë çështje.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat