Policia e Shtetit ka arrestuar dy persona dhe ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 30 të tjerë, pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë pranë Kuvendit të Shqipërisë.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë tubimit të mbajtur më 23 korrik, rreth orës 09:30, në rrugën “George W. Bush”, disa protestues kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë të angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, duke hedhur në drejtim të tyre sende të forta, mjete piroteknike dhe objekte të tjera.
Si pasojë e përplasjeve, gjashtë efektivë policie kanë mbetur të plagosur dhe kanë marrë ndihmë mjekësore në spital. Autoritetet bëjnë me dije se ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Pas veprimeve hetimore, policia identifikoi 32 persona që dyshohet se kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë protestës.
Në pranga janë vënë shtetasit me iniciale O. P., 41 vjeç dhe A. I., 44 vjeçe. Ata akuzohen për disa vepra penale, mes të cilave pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit, prishja e qetësisë publike, organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme, kundërshtimi i punonjësve të Policisë së rendit publik, goditja për shkak të detyrës si dhe shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse.
Ndërkohë, 30 persona të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprat penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime dhe manifestime të paligjshme, prishjes së qetësisë publike, kundërshtimit të punonjësve të Policisë së rendit publik dhe pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit.
Gjatë kontrollit të ushtruar, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale disa kapsolla, të cilat sipas njoftimit zyrtar u gjetën në një qese plastike që mbahej nga shtetasja A. I., e arrestuar në flagrancë.
Policia e Shtetit thekson se hetimet lidhur me ngjarjen vijojnë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



