Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me një masë më të butë.
Vendimi është marrë këtë të enjte nga gjyqtarja Miliana Muça, e cila vendosi të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Beqaj kishte kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë, duke kërkuar që “arresti në burg” të zëvendësohej me “arrest në shtëpi”. Në alternativë, ish-ministri kishte kërkuar vendosjen e masës së “garancisë pasurore”, duke propozuar një shumë prej 2 milionë lekësh, ose një vlerë tjetër që do të vlerësohej nga gjykata.
Pas shqyrtimit të ankimit, Apeli i GJKKO-së vendosi:
“Lënien në fuqi të vendimit nr. 362, datë 25.05.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”
Me këtë vendim, Ilir Beqaj do të vijojë të qëndrojë nën masën e sigurisë “arrest në burg”.
Ish-ministri i Shëndetësisë ndodhet nën masën e sigurisë më të rëndë, ndërsa kërkesa e tij për lehtësim të masës nuk u pranua nga dy shkallët e gjykimit të posaçëm.



