KreuOpinion dhe Analizë“Një pushtet pa llogaridhënie”/ Pse ka dështuar reforma në drejtësi?

“Një pushtet pa llogaridhënie”/ Pse ka dështuar reforma në drejtësi?

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Një analizë e publikuar nga revista amerikane Foreign Policy Journal ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si ka funksionuar reforma në drejtësi në Shqipëri, duke u ndalur veçanërisht te SPAK, përdorimi i paraburgimit dhe çështja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Shkrimi mban firmën e Timothy Mason dhe është publikuar më 23 shtator 2026, me titullin “Albania’s Judicial Reform Has Created a Power Without Accountability”.

Mason e nis analizën me vendimin e Gjykatës së Lartë të 15 shtatorit për vijimin e paraburgimit të Veliajt. Sipas autorit, kryebashkiaku i Tiranës ka kaluar më shumë se 19 muaj në paraburgim pa një vendim përfundimtar dënimi.

Në fokus vendoset edhe një vendim i Gjykatës Kushtetuese, e cila kishte shfuqizuar më herët vendimin e Gjykatës së Lartë lidhur me paraburgimin. Sipas analizës, Gjykata Kushtetuese kishte vlerësuar se nuk ishin marrë në konsideratë alternativa më pak shtrënguese të masës së sigurimit dhe statusi i Veliajt si zyrtar i zgjedhur.

Megjithatë, Gjykata e Lartë vendosi që paraburgimi të vijonte. Në momentin e publikimit të analizës, sipas Mason, arsyetimi i këtij vendimi ende nuk ishte bërë publik.

Autori e lidh këtë rast me mënyrën se si është zhvilluar reforma në drejtësi gjatë dekadës së fundit dhe me fuqizimin e institucioneve të reja të drejtësisë.

Kritikat ndaj SPAK

Një pjesë e rëndësishme e shkrimit i kushtohet SPAK-ut, institucion i krijuar në kuadër të reformës në drejtësi me qëllim hetimin dhe ndjekjen penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Mason pranon se reforma ka sjellë edhe rezultate konkrete, veçanërisht përmes procesit të vetingut. Duke iu referuar Departamentit amerikan të Shtetit, ai shkruan se më shumë se gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve që iu nënshtruan procesit ose u shkarkuan për probleme me pasurinë apo lidhje me krimin e organizuar, ose dhanë dorëheqjen përpara përfundimit të procesit.

Por sipas autorit, largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të konsideruar problematikë nuk është i njëjtë me ndërtimin e një sistemi që garanton në çdo rast shtetin ligjor.

Në këtë pikë, analiza ngre shqetësime për ngarkesën e gjykatave. Sipas shifrave të cituara nga Mason, numri i çështjeve të mbartura në sistemin gjyqësor është rritur ndjeshëm, nga rreth 16 mijë në rreth 200 mijë. Autori shkruan gjithashtu se në disa raste qytetarët mund të presin shumë vite për një vendim gjyqësor.

Një tjetër shqetësim i ngritur në artikull lidhet me përdorimin e paraburgimit. Mason thekson se një pjesë shumë e madhe e personave që ndodhen në burgjet shqiptare janë ende në pritje të gjykimit dhe argumenton se paraburgimi nuk duhet të kthehet në një masë të zakonshme, por të përdoret kur ekzistojnë arsye konkrete që lidhen, ndër të tjera, me rrezikun e arratisjes apo të ndikimit në proces.

Rasti i Erion Veliajt

Analiza i kushton një hapësirë të veçantë çështjes së kryebashkiakut të Tiranës.

SPAK e arrestoi Veliajn në shkurt 2025, nën akuzat për korrupsion dhe pastrim parash. Veliaj i ka mohuar akuzat.

Sipas Mason, rasti mori një tjetër zhvillim kur Këshilli Bashkiak i Tiranës tentoi ta shkarkonte atë nga detyra, duke përdorur edhe situatën e tij të paraburgimit si argument. Kjo ndodhi përpara një vendimi përfundimtar penal ndaj kryebashkiakut.

Gjykata Kushtetuese e rrëzoi më pas vendimin për shkarkimin e Veliajt.

Autori përmend gjithashtu çështjen e aksesit në dosjen hetimore. Sipas tij, në fazat e para të çështjes, mbrojtjes së Veliajt i ishte mohuar aksesi në rreth 60 mijë faqe materialesh të dosjes.

Në analizë përmendet edhe qëndrimi i dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese lidhur me mënyrën e paraqitjes së Veliajt gjatë seancave gjyqësore. Sipas Mason, ata e konsideruan poshtëruese mbajtjen e tij në një kabinë prej xhami.

Autori i referohet gjithashtu një mendimi paralel të një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese, i cili, sipas analizës, kishte ngritur pikëpyetje edhe mbi ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm që do të justifikonte paraburgimin e Veliajt në fillim të çështjes.

Investimet dhe klima e biznesit

Në fund të analizës, Mason e lidh funksionimin e sistemit të drejtësisë edhe me klimën e investimeve në Shqipëri.

Duke iu referuar raportit “Investment Climate Statement 2025” të Departamentit amerikan të Shtetit, ai vëren se Shqipëria ka shënuar përmirësim në perceptimin e korrupsionit, ndërsa stoku i investimeve amerikane është rritur nga 300 milionë në 382 milionë dollarë.

Megjithatë, sipas analizës, Shqipëria vazhdon të përballet me probleme për investitorët, mes të cilave korrupsioni në prokurime, ekonomia informale dhe vështirësitë në zbatimin e kontratave.

Në përfundim, Timothy Mason argumenton se lufta kundër korrupsionit nuk duhet të nënkuptojë dobësimin e garancive të procesit të rregullt ligjor.

Sipas tij, një institucion antikorrupsion duhet të jetë i fuqishëm në luftën kundër korrupsionit, por njëkohësisht duhet t’i nënshtrohet kufizimeve dhe kontrollit të ligjit.

Analiza e Foreign Policy Journal e mbyll diskutimin duke ngritur pikëpyetjen nëse reforma në drejtësi, pas një dekade nga nisja e saj dhe në kushtet e debatit mbi paraburgimin e Veliajt, ka arritur qëllimet për të cilat u ndërmor.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat