Harris nuk do të flasë sot
Fushata e kandidates demokrate, Kamala Harris, bëri të ditur se nuk do të deklarohet sot, por nesër – me kohën e SHBA-së – në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve.
Mediat amerikane raportojnë se disponimi në mesin e mbështetësve të saj ka rënë, pasi rezultatet e para e nxjerrin në epërsi kandidatin republikan, Donald Trump.
Mbështetësit e këtij të fundit janë parë duke festuar në Uest Pallm Biç të Floridës, ku raportohet se do t’iu bashkohet edhe Trumpi.
06:29
Si qëndron situata në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat?
Partia Republikane duket se do ta marrë kontrollin e Senatit të SHBA-së, duke siguruar dy vende vendimtare në Ohajo dhe Uest Virxhinia, ndërsa shumica në dhomën tjetër të Kongresit – Dhomën e Përfaqësuesve – mbetet për t’u vendosur.
Krahas kandidatëve për president, Donald Trump dhe Kamala Harris, në garë ishin të 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe 34 nga 100 vendet e Senatit.
06:14
Çka treguan zgjedhjet deri më tash?
- Trump dhe Harris siguruan fitore në shtetet ku pritej.
- Trump rriti mbështetjen në mesin e votuesve me ngjyrë, sipas exit poll-eve. Në Karolinë të Veriut, për shembull, mbështetja për të nga kjo kategori u rrit në 12% nga 5% sa e kishte në vitin 2020.
- Fushata e Harrisit shpresonte se gratë do të dyndeshin pas saj, për shkak të çështjeve të tilla si e drejta e abortit. Por, deri më tani, Trump ka mbështetje më të madhe, së paku nga votueset e bardha, sipas exit poll-eve.
- Po sipas tyre, Trump e kapërcen lehtë Harrisin me mbështetjen mes meshkujve midis moshës 18 dhe 44 vjeç, por bindshëm mes meshkujve 45 vjeç e lart.
Shtetet e papërcaktuara vazhdojnë numërimin
Media si CNN dhe BBC raportojnë se Donald Trump është duke prirë në shtetet e papërcaktuara, ku gara është tejet e ngushtë – përfshirë: Pensilvaninë, Uiskonsinin, Xhorxhian, Nevadën, Miçiganin dhe Arizonën.
Megjithatë, numërimi i votave është duke vazhduar ende./REL