Mbledhja e Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike nisi këtë të mërkurë me debate të forta mes deputetëve, pas zhvillimeve të një dite më parë në dosjen e hetuar nga SPAK.
Në qendër të diskutimeve u vendos masa e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe pezullimi nga detyra i drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni. Sipas SPAK, Hyseni është nën hetim për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete”. Çështja është pjesë e hetimeve për dosjen e AKSHI-t, ku në qendër ndodhet biznesmeni Ergys Agasi.
Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi kërkoi që Kuvendi të mblidhet për të diskutuar mbi atë që e cilësoi si një skandal të rëndë. Sipas tij, fakti që hetimi ka prekur drejtimin e SHISH ngre pikëpyetje serioze për funksionimin e institucioneve të sigurisë.
“Rend dite sot, në çdo komision, në seancë plenare, është skandali i djeshëm”, deklaroi Bylykbashi, duke akuzuar qeverinë se ka lejuar depërtimin e krimit të organizuar në struktura të rëndësishme të shtetit.
Ai përmendi SHISH-in, AKSHI-n, Kadastrën, ministritë dhe sistemin e prokurimeve, duke e cilësuar situatën si një “shtet të rënë”. Bylykbashi akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama për përgjegjësi politike, ndërsa tha se çështja nuk duhet të kufizohet vetëm te personat që janë aktualisht nën hetim.
Nga mazhoranca, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja e cilësoi zhvillimin si pjesë të funksionimit normal të institucioneve.
“Veprimtari normale e institucioneve në një shtet demokratik”, tha Manja.
Debatet vijuan me deputetin demokrat Saimir Korreshi, i cili ironizoi vijimin e punimeve të Kuvendit dhe ngriti shqetësimin se institucionet parlamentare po vijojnë axhendën e tyre sikur nuk ka ndodhur asgjë.
“Mendova se kishte ardhur Bajrami për të mbledhur Këshillin e Sigurisë, se ka rënë shteti, kanë rënë siguresat të gjitha”, deklaroi Korreshi.
Ai kërkoi që Kuvendi të ketë prioritete të qarta kur, sipas tij, janë në diskutim çështje që lidhen me sigurinë kombëtare.
Edhe deputeti Tedi Blushi e çoi diskutimin te funksionimi i institucioneve të sigurisë. Në deklaratën e tij, ai tha se Komisioni i Ligjeve duhet të merret me çështje që lidhen me respektimin e Kushtetutës dhe ligjit.
“Jemi në kushtet kur arkitektura e shtetit ka rënë, ku siguria kombëtare ka rënë”, deklaroi Blushi, duke pretenduar se institucionet kryesore të sigurisë janë cenuar nga lidhjet me krimin.
Blushi tha se, në këto kushte, Komisioni duhet të mbajë qëndrim për çështjen e sigurisë kombëtare dhe funksionimin e institucioneve, duke e lidhur këtë situatë edhe me projektligjin që po shqyrtohej në komision.
Përplasja në Komisionin e Ligjeve vjen një ditë pasi SPAK njoftoi masat e reja të sigurisë në kuadër të hetimit të dosjes së AKSHI-t. Përveç Hysenit, hetimi ka prekur edhe persona të tjerë, ndërsa janë kryer kontrolle në banesa, përfshirë atë të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.



