Partnerët e koalicionit qeverisës kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket ndryshimit të stemës së shtetit. VMRO-DPMNE-ja për herë të parë shpalosë ambiciet jashtë atyre me luan, shkruan Alsat.
Sipas deputetit Antonio Milloshovski, stema e shtetit duhet të përfshi motive nga lufta e KAÇKM-së, Ilindeni por edhe motive të tjera ndër-etnike.
“Konsideroj se Maqedonia nuk duhet të mbetet në grupin me Bjellorusinë, Taxhikistanin dhe Angolën. Këto janë shtetet e vetme të cilat kanë akoma simbole sovjetike në stemat shtetërore. Maqedonia ka edhe trashëgimi të mirë historike që mund t’i lidh KAÇKM-në me Ilindenin por edhe periudhat e shtetit tonë të përbashkët për një stemë më të mirë dhe të përbashkët që mund të jetë si ato të shteteve Evropiane”, tha Antonio Milloshovski, Deputet i VMRO-DPMNE-së.
Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti akuzoi BDI-në që sipas tij heshtë ndaj ideve dhe propozimeve për stemën, pasi që ishte ajo e cila para 10 viteve pranoi stemën partiake të Nikolla Gruevskit. Mexhiti nuk fsheh pretendimet që me hapjen e kushtetutës për stemën, të rregullohet edhe çështja e gjuhës shqipe.
“Shihni si heshtin, nuk flasin kur del dhe thotë Mickoski se Gruevski e Ahmeti e kanë pranuar që stema të jetë me luanë. E kanë pranuar pa asnjë kusht. Ne themi po, bisedojmë edhe për stemën edhe për himnin edhe për gjuhën shqipe dhe është koha e fundit që të mos jetë me numër 20 për qind. Shqiptarët nuk janë numra, nuk janë 20 për qind. Do të jetë gjuhë shqipe dhe gjuhë zyrtare”, u shpreh Izet Mexhiti, Zëvendëskryeministër i parë.
Maksim Dimitrievski i ZNAM kërkon që stema të mos preket. Sipas tij, nëse hapen simbolet shtetërore, vendi mund të futet në një proces të rrezikshëm.
“Qëndrimi im personal është se stema jonë ka vazhdimësi dhe e pasqyron Maqedoninë. E kishim njëherë shansin, e ndryshuam çfarë u desh. Ajo është pjesë e pandryshueshme e historisë sonë. Nëse hapim temë për ndryshimin e stemës dhe simboleve të tjera shtetërore, hapim një debat që mbase nuk mund ta mbyllim. Kjo stemë pasqyron edhe aspektin historik edhe atë gjeografik”, theksoi Maksim Dimitrievski, Kryetar i ZNAM.
Stema aktuale përfshin kryesisht relieve gjeografike. Qeveria nuk ka shpalosur nëse dizajni i stemës së re të shtetit do të bëhet përmes një debati të gjerë publik apo do të zbardhet si fakt i kryer. Në vitin 2014 stema u imponua nga VMRO-ja dhe partneri i saj në Qeveri, BDI-ja me simbolin e pastër të luanit, i mbrojtur nga një fushatë manipuluese se gjoja ai përfaqësonte edhe shqiptarët dhe ishte i mjaftueshëm si i tillë. Pas refuzimeve të gjëra nga ana e shqiptarëve, të dyja partitë hoqën dorë nga ai imponim. / Alsat.mk