Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Dërgimin në gjyq të procedimit penal me nr. 249/2020, në ngarkim të të pandehurit Artur Gashi, për akuzën “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal.
Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Ardit Mustafaj dhe Bib Ndreca, me vendimin Nr. 66, datë 05.11.2024 vendosi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Artur Gashi për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal, para ndryshimeve që janë bërë me ligjin nr.43 të vitit 2021 dhe dënimin e tij me 6 muaj burgim.
Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Artur Gashi i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit dhe përfundimisht dënohet me 4 muaj burgim.
Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i ekzekutimit të këtij vendimi duke mbajtur në konsideratë edhe kohën e qëndrimit në masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, dhe do të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Kujtojmë se ngjarja, ku është i implikuar Gashi, është dokumentuar në vitin 2023 me arrestimin e ish kreut të Kadastrës Ilir Kapetani dhe 14 personave që dyshoheshin se kishin dhënë ryshfer.
Në bazë të hetimeve të kryera, sipas SPAK janë dokumentuar të paktën 14 raste, në të cilat ish-punonjësi i Kadastrës ka marrë para qytetarëve të ndryshëm.
Ilir Kapetani, me detyrë inspektor i shqyrtimit të Dosjeve në Kadastër, dyshohet se u merrte ish-pronarëve dhe u premtonte atyre kompensim financiar të pronave, gjatë trajtimit të kërkesave të tyre për kthimin dhe kompensimin e pronës.