Detaje të reja janë zbardhur lidhur me konfliktin e ndodhur ditën e sotme në një lokal në Kamëz, ku dyshohet se është përfshirë Jeton Lami, ish-oficer i Forcës së Posaçme Operacionale dhe personi i fundit që ka shoqëruar Ervis Martinajn para zhdukjes së tij.
Sipas informacioneve paraprake, përplasja ka ndodhur pranë ambienteve të lokalit, ku Lami ndodhej në shoqërinë e disa personave. Ai është konfliktuar me një grup tjetër personash, mes të cilëve dyshohet se ishte edhe një efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, i identifikuar si Robert Uku.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se efektivi Uku ka tentuar të ndërhyjë për të qetësuar situatën dhe për të ndarë personat e përfshirë në konflikt, por gjatë ndërhyrjes dyshohet se është përballur me kërcënime nga ish-oficeri Jeton Lami.
Ndërkohë, Policia dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Fillimisht janë pezulluar nga detyra dy efektivë të Komisariatit nr. 5, pasi dyshohet se nuk kanë kryer veprimet procedurale të nevojshme.
Po ashtu, autoritetet kanë sekuestruar pamjet filmike nga kamerat e sigurisë në zonë, të cilat pritet të ndihmojnë në sqarimin e rrethanave të konfliktit.
Hetimet vijojnë.



