KreuDrejtësiaKush i nxjerr sekretet e SPAK-ut?/ Dyshimet e Klodjan Brahos

Kush i nxjerr sekretet e SPAK-ut?/ Dyshimet e Klodjan Brahos

Kryeprokurori i SPAK, Klodian Braho, po raporton në Komisionin e Ligjeve në Kuvend, ku po u përgjigjet pyetjeve të deputetëve mbi aktivitetin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në përgjigje të pyetjes së deputetit të Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, Braho u ndal te bashkëpunimi me autoritetet e huaja dhe rastet e dekonspirimit të hetimeve, duke pranuar se kanë ekzistuar raste konkrete, për të cilat janë marrë edhe masa ligjore.

“Ne nuk na vjen asnjë dosje e gatshme. Patjetër që kemi bashkëpunim ndërkombëtar dhe na vijnë informacione nga jashtë, por hetimet dhe analizat i bëjnë hetuesit tanë, nuk mund t’ua heqim këtë meritë.

Mund të them se po, ka patur procedime konkrete që lidhen me dekonspirim të hetimeve, madje në disa raste, bashkë me ndjekjet penale që prokurorët kanë bërë, jo rastësisht janë ngritur akuza dhe janë marra masa ligjore ndaj punonjësve nëpër institucione”, u shpreh Braho.

Gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve, kreu i SPAK u pyet edhe për raportin mes SPAK-ut dhe Policisë së Shtetit, si dhe për operacionet e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), të zhvilluara pa asistencën e Policisë së Shtetit, si në rastin e arrestimit të Adi Çobës në Durrës.

Deputeti i Partisë Socialiste, Erjo Mile, ngriti pikëpyetje nëse këto operacione lidhen me një mungesë besimi ndaj Policisë së Shtetit.

Erjo Mile: “Njoftuar nga mediat, konstatohet rritje aksioneve të BKH pa praninë e Policisë. Këto aksione nëse janë të vërteta, dhe deri në çfarë mase janë, për çfarë arsyesh vijnë. Kemi të bëjmë me humbje besimi të këtyre strukturave te Policia e Shtetit? Apo ka arsye të tjera. Si është raporti që keni me Policinë e Shtetit?”

Në përgjigjen e tij, Braho vlerësoi bashkëpunimin me Policinë e Shtetit, por theksoi se SPAK dhe BKH duhet të kenë pavarësi procedurale dhe operacionale për të realizuar të gjithë ciklin e hetimeve.

Klodian Braho: “Referimet e policisë janë rritur, gjatë këtij viti kemi patur referime nga Policia e Shtetit. Kemi vlerësimin më të madh për Policinë e Shtetit, për të gjithë ata njerëz që punojnë. Si në çdo institucion, jo të gjithë janë njësoj, ndonjëri mund të ketë probleme me ligjin apo dyshojmë ne.

Policia e Shtetit është partneri ynë i pazëvendësueshëm, nuk e zëvendësojmë ne, suksesi ynë është i lidhur me Policinë. Ne presim më shumë nga Policia e Shtetit dhe mendojmë se ka vend për më shumë.

Veprimet që mund të kryejë BKH edhe për arrestime të personave, janë veprime procedurale që ligji ia lejon BKH. Pengesat mund të vijnë për shkak të mungesës së një infrastrukture të dedikuar operacionale dhe taktike.

Pavarësisht bashkëpunimit me institucionet e tjera, SPAK duhet të ketë pavarësi operacionale. S’duhet të varet nga institucione të tjera. Nuk mund ta zëvendësojmë Policinë e Shtetit, por jemi të bindur që duhet të kemi pavarësinë tonë procedurale dhe operacionale në mënyrë që për një çështje të caktuar, struktura të jetë e aftë të bëjë të gjithë ciklin e veprimeve hetimore. Është praktikë që e kemi parë edhe në institucionet homologe në vende të tjera me të cilat bashkëpunojmë.”

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat