back to top
18.5 C
Tirana
E enjte, 23 Prill, 2026
spot_img
KreuAktualitet“Model sigurie apo skemë e diskutueshme?/ Kuvendi “zien” për KAYO

“Model sigurie apo skemë e diskutueshme?/ Kuvendi “zien” për KAYO

Gjatë një interpelance në Kuvend me deputetin demokrat Klevis Balliu, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi është ndalur në mënyrë të detajuar te funksionimi dhe roli i shoqërisë shtetërore KAYO, duke e cilësuar atë si një instrument të rëndësishëm për forcimin e sigurisë kombëtare dhe zhvillimin e industrisë ushtarake në vend.

Në fjalën e tij, Nufi theksoi se KAYO nuk është konceptuar si një kompani tradicionale prodhimi, por si një strukturë bashkëpunuese mes shtetit dhe sektorit privat, me synim ndërtimin e një industrie moderne ushtarake në Shqipëri. Sipas tij, modeli i ndjekur është i ngjashëm me praktikat ndërkombëtare, ku kompanitë private luajnë rol kyç në prodhimin e pajisjeve dhe armatimeve për nevoja shtetërore dhe për eksport.

“Që në fillim KAYO është konceptuar jo si një kompani drejtpërdrejt prodhuese, por si një shoqëri që bashkëprodhon me kapitale dhe partnerë privatë që njohin industrinë dhe që bashkëpunojnë me të për të prodhuar në Republikë produkte ushtarake të nevojshme për Forcat e Armatosura, por edhe për eksport. Ky është një model ndërkombëtar, qëllimi është të aktivizojë kapitale private”, deklaroi ministri.

Ai shtoi se krijimi i kësaj shoqërie lidhet edhe me angazhimet e Shqipërisë në kuadër të NATO, si dhe me nevojën për rritjen e kapaciteteve prodhuese në një kohë kur, sipas tij, situata globale e sigurisë është bërë më e brishtë.

Duke iu përgjigjur kritikave, Nufi theksoi se Shqipëria nuk po krijon një model të panjohur, por po ndjek shembuj të vendeve të zhvilluara, ku industria e mbrojtjes funksionon kryesisht mbi bazën e bashkëpunimit publik-privat.

“Edhe vendet e tjera të botës kanë kompani private që prodhojnë; kompanitë më të mëdha janë private dhe angazhohen nga qeveritë. KAYO u themelua në vitin 2024 pas miratimit të kuadrit ligjor për funksionimin e saj dhe rregullimin e industrisë. Kjo është një praktikë që i shërben transparencës”, tha Nufi.

Ai kujtoi gjithashtu se Shqipëria ka pasur traditë në industrinë ushtarake, duke përmendur ekzistencën e disa impianteve të prodhimit të armëve dhe municioneve në të kaluarën, të cilat sipas tij kanë shërbyer për dekada për Forcat e Armatosura.

Ministri theksoi se qëllimi i KAYO është edhe rijetëzimi i kësaj industrie, e cila u mbyll në fillim të viteve 2000, duke e lidhur këtë proces me angazhimin e vendit në strukturat e NATO-s dhe me nevojën për të rritur vetëkapacitetet mbrojtëse.

“Shqipëria nuk është një vend që nuk e njeh industrinë ushtarake. Në të kaluarën kemi pasur tre impiante që kanë prodhuar armë dhe municione. KAYO është krijuar për ta rijetëzuar këtë industri dhe për ta përshtatur me kohën dhe standardet e NATO-s”, u shpreh ai.

Nufi nënvizoi gjithashtu se sot konfliktet globale, si ai në Ukrainë apo tensionet në Lindjen e Mesme, tregojnë rëndësinë e kapaciteteve prodhuese në fushën e mbrojtjes.

Në lidhje me financimin, ministri bëri me dije se deri tani nga buxheti i shtetit janë investuar rreth 3 milionë euro në shoqërinë KAYO, pjesë e të cilave janë përdorur për funksionimin bazë, përfshirë pagat dhe shpenzimet operative.

“Që nga krijimi deri më sot, i gjithë kapitali i investuar nga buxheti i shtetit për shoqërinë është 3 milionë euro, nga të cilat rreth 33% janë përdorur për mbajtjen e stafit dhe operacionet bazike. Të gjitha investimet e tjera për kompanitë e krijuara vijnë nga kapitali privat”, theksoi Nufi.

Debati në Kuvend u zhvillua në një atmosferë të tensionuar, ku opozita ngriti pikëpyetje mbi mënyrën e funksionimit të shoqërisë dhe transparencën e saj, ndërsa ministri mbrojti projektin si një nismë strategjike për sigurinë kombëtare dhe zhvillimin industrial të vendit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat