back to top
27.4 C
Tirana
E diel, 7 Qershor, 2026
spot_img
KreuAktualitetPolitika“Si pranova të bëhem ministër?/ Letra që rikthen Ramën e viteve ’90

“Si pranova të bëhem ministër?/ Letra që rikthen Ramën e viteve ’90

Mevlan Shanaj regjisor, aktor dhe producent i është drejtuar me një letër të hapur kryeministrit Edi Rama, ku rikthen kujtime nga fillimet e angazhimit të tij politik dhe shpreh zhgënjimin për mënyrën se si, sipas tij, ka evoluar qeverisja ndër vite.

Në shkrimin e gjatë, autori kujton njohjen me Ramën në fillim të viteve ’90, përfshirjen e tij në lëvizjen studentore dhe qëndrimet kritike ndaj regjimit komunist, duke e përshkruar si një njeri që në atë kohë i jepte rëndësi lirisë dhe shfaqte hezitim përballë pushtetit.

“Mes Edit që kam njohur dhe Edit që shoh sot ekziston një distancë që nuk mund të mos më bëjë të reflektoj”, shkruan ai në letër.

Autori sjell në vëmendje edhe periudhën kur Rama pranoi të merrte detyrën e ministrit, duke kujtuar biseda personale ku, sipas tij, kryeministri shfaqte pasiguri për përgjegjësinë që po merrte përsipër.

“Besuam njeriun që dukej se kishte frikë nga pushteti më shumë sesa etje për të”, shprehet ai.

Në letër, ai thotë se e ka mbështetur Ramën gjatë rrugëtimit të tij politik, duke besuar se Shqipëria kishte nevojë për më shumë emancipim dhe liri qytetare. Megjithatë, sipas tij, me kalimin e viteve ky besim është lëkundur për shkak të perceptimeve publike, akuzave për korrupsion ndaj zyrtarëve të qeverisë dhe rritjes së mosbesimit ndaj institucioneve.

Autori përmend se “u krijua përshtypja se pushteti po bëhej gjithnjë e më i mbyllur në vetvete dhe se mbrojtja politike shpesh ishte më e fortë se përgjegjësia publike”, ndërsa shton se disa prej këtyre perceptimeve mund të jenë të drejta ose jo, por sipas tij, ato tashmë ekzistojnë në opinionin publik.

Në përfundim, ai thekson se letra nuk është një sulm politik, por një reflektim personal dhe zhgënjim ndaj një figure që dikur e kishte mbështetur.

“Prandaj sot nuk po shkruaj një aktakuzë politike. Po shkruaj një requiem për një besim”, përfundon ai në letrën e hapur.

Reagimi i plotë:

REQUIEM PËR NJË BESIM, Edi Rama,

Sot po të shkruaj jo si kundërshtar politik, por si një njeri që të ka njohur para se pushteti të bëhej pjesë e jetës tënde.

Po të shkruaj sepse ndiej se mes Edit që kam njohur dhe Edit që shoh sot ekziston një distancë që nuk mund të mos më bëjë të reflektoj.

Më kujtohet dhjetori i vitit 1990. U ktheve nga Korfuzi dhe shkove drejt Qytetit Studenti, asaj që ishte bërë Meka e Lirisë shqiptare. Ti vije nga bota e artit, nga “Refleksionet”, me bindjen se duhej të ishe pjesë e asaj lëvizjeje që po ndryshonte historinë.

Po atë natë erdhe në shtëpinë time. Më tregove se Gramos Pashko dhe Arben Imami të kishin propozuar të shkoje në Shkodër për të organizuar strukturat e para të Partisë Demokratike. Nuk kishe pranuar. Me atë ironinë tënde karakteristike the se nuk ishe Vasil Shanto që të bredhje me motor për të krijuar një parti.

Në atë përgjigje kishte diçka që më pëlqeu: Refuzimin për t’u bërë ushtar i verbër i kujtdo.

Pak kohë më vonë, në mitingun e madh para Stadiumit “Qemal Stafa”, më kërkove të ndërhyja që të merrje fjalën. Lista e folësve ishte mbyllur. Kur mbarova fjalimin tim, të ftova para turmës.

Dhe në fund the fjalinë që atëherë bëri bujë:

“Na skuqi si rusë, na zverdhi si kinezë, na nxiu si shqiptarë. Enver Hitler.”

Ishte një nga deklaratat më të forta që ishin dëgjuar deri në atë moment. Dikush pranë meje tha: “E pe sa radikal është?”

Po, ishe radikal. Por ishte radikalizmi i njeriut që kërkonte ndryshim.

Më vonë të pashë të plagosur, të goditur barbarisht, dhe shumë prej nesh u gjendëm pranë teje.

Të pashë edhe kur pranove të bëheshe ministër. Më kujtohet shqetësimi yt i asaj kohe.

Më kujtohet kur, i mbyllur në dhomë, i mbingarkuar nga përgjegjësia, më the:

“Si pranova të bëhem ministër? Ku e bëj dot unë këtë punë?”

Dhe pikërisht atë njeri besuam.

Besuam njeriun që dukej se kishte frikë nga pushteti më shumë sesa etje për të.

Kur më pas u ngjite në majat e politikës shqiptare, të mbështeta. Kam menduar dhe kam thënë se Shqipëria kishte nevojë për më shumë emancipim, për më shumë liri shpirtërore dhe qytetare, sesa për moralizma provinciale.

Dhe bashkë me to u grumbulluan akuza për korrupsion ndaj ministrave, deputetëve, kryetarëve të bashkive dhe zyrtarëve të lartë të qeverisjes suaj.

Dy zëvendëskryeministra u bënë simbol i një krize të rëndë besimi. U krijua përshtypja se pushteti po bëhej gjithnjë e më i mbyllur në vetvete dhe se mbrojtja politike shpesh ishte më e fortë se përgjegjësia publike.

Ndoshta disa prej këtyre perceptimeve janë të drejta, ndoshta disa jo.

Por një gjë është e sigurt: ato ekzistojnë.

Dhe kur një perceptim pushton mendjen e një pjese të madhe të shoqërisë, ai bëhet realitet politik.

Mjafton të shohësh zemërimin, mosbesimin dhe reagimin publik për ta kuptuar.

Prandaj sot nuk po shkruaj një aktakuzë politike.

Po shkruaj një requiem për një besim.

Sepse të kam njohur kur nuk të linin të flisje.

Të kam njohur kur dyshoje nëse mund të mbaje mbi supe peshën e një detyre.

Të kam njohur kur liria të dukej më e rëndësishme se pushteti.

Dhe pikërisht për këtë arsye pyetja ime është e thjeshtë:

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat