Kryeministri Edi Rama ka komentuar me ironi kërkesat e protestuesve që kundërshtojnë projektin e diskutuar për zonën e Zvërnecit, duke u ndalur veçanërisht te thirrjet për dorëheqjen e tij si një nga kushtet e vendosura nga grupet protestuese.
Gjatë një deklarate publike, Rama ironizoi kërkesat e paraqitura në formë “kushteve”, duke thënë se dorëheqja e kryeministrit nuk mund të jetë një pikë e izoluar nga pjesa tjetër e pretendimeve.
“Po kur thonë 5 kushte: ‘Jep dorëheqjen’. Po mirë po jap dorëheqjen, katër të tjerat si do i bëj?”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi gjithashtu se qeveria ka ndjekur një proces të rregullt dhe strikt në lidhje me projektin e diskutuar, duke sqaruar se disa nga informacionet e qarkulluara publikisht nuk përputhen me dokumentacionin zyrtar.
Sipas tij, është përmendur një investim në vlerën 27 milionë euro, ndërsa ai ka deklaruar se i referohet një lejeje të mëparshme që, sipas tij, është kthyer mbrapsht dhe nuk është në fuqi.
“Është e sigurt që në të gjithë procesin, ne kemi qenë shumë strikt. Është thënë se investimi është 27 milionë euro. I janë referuar një leje që është kthyer mbrapsht”, tha Rama.
Deklarata e kryeministrit vjen në një kohë kur protestat kundër projektit të diskutuar në zonën e Zvërnecit kanë hyrë në ditën e gjashtë, ndërsa palët kanë shkëmbyer akuza dhe qëndrime të kundërta mbi natyrën dhe qëllimin e projektit.



