back to top
24.4 C
Tirana
E mërkurë, 24 Qershor, 2026
spot_img
KreuAktualitetPolitika“Asnjë gur s’më frikëson”/ Mesazhi i Spiropalit pas debatit për vetëpastrimin e...

“Asnjë gur s’më frikëson”/ Mesazhi i Spiropalit pas debatit për vetëpastrimin e PS

Kryetarja e Kuvendit dhe deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ka reaguar në mënyrë indirekte ndaj kritikave dhe sulmeve të fundit që kanë pasuar deklaratën e saj për nevojën e një vetëpastrimi brenda Partisë Socialiste.

Pak ditë më parë, Spiropali deklaroi se PS-ja duhet të kalojë në një proces reflektimi dhe pastrimi të brendshëm, duke kërkuar largimin e fenomeneve që ajo i cilësoi si “smërçe, ndryshqe dhe pehlivanllëqe”. Deklarata e saj ngjalli reagime të shumta brenda kampit socialist, ku nuk munguan as kritikat nga eksponentë të partisë.

Një nga reagimet më të forta erdhi nga kryetarja e Partisë Socialiste në Shkodër, Mirela Dodaj, e cila deklaroi se nëse do të kishte një proces vetëpastrimi në PS, ai duhej të niste pikërisht nga Elisa Spiropali.

“ Nëse vërtet duhet të nisë një proces vetëpastrimi në Partinë Socialiste, atëherë do të ishte e ndershme të fillonte nga ju, Elisa Spiropali”, u shpreh Dodaj, duke e kthyer debatin në një përplasje publike mes dy figurave të së majtës.

Pas këtyre zhvillimeve, Spiropali ka zgjedhur të mos japë një kundërpërgjigje të drejtpërdrejtë politike, por të përcjellë një mesazh përmes letërsisë.

Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, ajo ka ndarë një poezi të poetes së njohur ruse Anna Akhmatova, në përvjetorin e lindjes së saj, duke e shoqëruar me një koment që është interpretuar si një përgjigje ndaj kritikëve dhe kundërshtarëve.

“Kur t’ju merren mend’ e t’ju përzihet nga fletë-rrufetë, sulmet banale, monitorimi digjital e operacional, kontrolli algoritmik, konspiracionet halucinante, gjuha e shthurur, lexoni këtë kryevepër të Anna Ahmatovës”, shkroi Spiropali.

Në qendër të mesazhit që ajo ka zgjedhur të ndajë janë vargjet e njohura të Akhmatovës, ku autorja flet për vështirësitë dhe sulmet që ka përjetuar, por edhe për mënyrën se si ato janë kthyer në forcë dhe frymëzim.

“Kaq shumë gurë hodhën përmbi mua, sa sot asnjë prej tyre s’më frigon. Me ta një kullë e hijshme u ndërtua, m’e lartë se çdo kullë ajo qëndron”, thuhet në poezinë e publikuar nga Spiropali.

Përmes këtij postimi, Spiropali duket se ka dashur të përcjellë idenë se kritikat, sulmet dhe akuzat nuk e dobësojnë, por përkundrazi e forcojnë dhe e motivojnë.

Mesazhi i saj vjen në një moment kur debati për reformimin e Partisë Socialiste dhe përgjegjësitë politike të drejtuesve të saj ka fituar vëmendje të shtuar, pas deklaratave për nevojën e një vetëpastrimi të strukturave të partisë.

Ndërsa nuk e përmend drejtpërdrejt Mirela Dodajn apo kritikët e saj, referenca ndaj “sulmeve banale”, “fletë-rrufeve” dhe “konspiracioneve halucinante” është parë si një përgjigje e qartë ndaj reagimeve që pasuan deklaratat e saj të fundit.

Polemikat brenda socialistëve duket se janë larg përfundimit, ndërsa postimi i Spiropalit ka sjellë një tjetër kapitull në debatin e hapur mbi drejtimin, përgjegjësitë dhe të ardhmen e Partisë Socialiste.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat