Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Shqipëria është një hap larg një tjetër ndryshimi të hartës administrative. Projektligji i ri për reformën administrativo-territoriale, i miratuar në Komisionin e Ligjeve, parashikon që numri i bashkive të ulet nga 61 në 46. Për miratimin në Kuvend duhen 84 vota dhe votimi është parashikuar për 8 tetor.
Në letër, bëhet fjalë për bashkime administrative. Në praktikë, ndryshimi prek drejtpërdrejt strukturën e pushtetit vendor, pasi 15 kryetarë bashkish nuk do të kenë më bashki më vete pas zbatimit të hartës së re.
Sipas draftit, bashkitë që humbin statusin aktual janë Fushë-Arrëzi, Klosi, Rrogozhina, Dimali, Poliçani, Patosi, Divjaka, Selenica, Maliqi, Këlcyra, Memaliaj, Libohova, Cërriku, Belshi dhe Përrenjasi.
Kush bashkohet me kë
Në veri, Fushë-Arrëzi i bashkohet Pukës, ndërsa Klosi kalon te Bashkia Mat.
Në qendër, Rrogozhina bashkohet me Kavajën. Në Berat, Dimali dhe Poliçani përfshihen në Bashkinë Berat.
Në qarkun Fier, Patosi i bashkohet Fierit dhe Divjaka Lushnjës.
Në jug, Selenica kalon te Vlora, ndërsa Maliqi i bashkohet Korçës.
Në Gjirokastër, Këlcyra bashkohet me Përmetin dhe Libohova me Gjirokastrën, ndërsa Memaliaj i bashkohet Tepelenës.
Ndryshimi prek edhe Elbasanin: Cërriku dhe Belshi përfshihen në Bashkinë Elbasan, ndërsa Përrenjasi bashkohet me Librazhdin.
Pra, nga 61 kryetarë bashkish, 15 struktura vendore hiqen si njësi të veçanta dhe kompetencat kalojnë te bashkitë më të mëdha.
Jo vetëm shkrirje, por edhe një nivel i ri
Reforma nuk ndalet te bashkimi i bashkive. Harta e re parashikon një strukturë me 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative. Qarqet mbeten 12 dhe nuk ndryshojnë.
Gjashtë zona pritet të marrin statusin e qytetit, Kastrati, Bushati, Ulza, Krasta, Miloti dhe Golemi. Kështu, për shembull, Bashkia Kurbin do të ketë Laçin, Mamurrasin dhe Milotin si qytete përbërëse, ndërsa Kavaja do të përfshijë Kavajën, Rrogozhinën dhe Golemin.
Ky është një ndryshim nga modeli i krijuar në vitin 2014, kur 373 njësi vendore u konsoliduan në 61 bashki dhe 12 qarqe. Vetë platforma e Kuvendit për reformën e re e përshkruan procesin si një kalim nga konsolidimi i vitit 2014 drejt një organizimi të ri të qeverisjes vendore.
Çfarë ndodh me pushtetin vendor
Me hartën e re, kryetarët e 15 bashkive të përfshira në bashkim nuk do të drejtojnë më struktura të pavarura. Në vend të tyre, një kryetar bashkie do të ketë nën administrim një territor më të gjerë dhe disa qendra urbane.
Kjo e zhvendos edhe peshën politike brenda qarqeve. Qendra si Elbasani, Vlora, Berati, Korça, Fieri, Gjirokastra, Kavaja, Lushnja apo Librazhdi marrin nën administrim territore që deri tani drejtoheshin nga kryetarë të tjerë.
Drafti parashikon që bashkia të mbetet njësia kryesore e vetëqeverisjes vendore, me një kryetar, këshill, administratë dhe buxhet të vetëm. Ndërkohë, qytetet përbërëse marrin një rol të ri në strukturën vendore.
Reforma hyn në fuqi për zgjedhjet e ardhshme vendore
Një nga efektet më të rëndësishme politike është se harta e re synohet të zbatohet për zgjedhjet vendore të vitit 2027. Kjo do të thotë se gara lokale e ardhshme nuk do të zhvillohet mbi hartën e 61 bashkive, por mbi organizimin e ri, nëse projektligji merr votat e nevojshme në Kuvend.
Argumenti i mazhorancës lidhet me forcimin e kapaciteteve administrative, ekonominë e shkallës, shërbimet publike dhe një organizim më funksional të pushtetit vendor. Platforma zyrtare e reformës e lidh procesin edhe me decentralizimin fiskal, kapacitetet administrative dhe përgatitjen e bashkive për standardet europiane.
Por ndryshimi ka edhe një efekt të drejtpërdrejtë politik, pasi 15 bashki humbin autonominë si njësi më vete dhe 15 kryetarë bashkish humbin postin e tyre si drejtues të një bashkie të pavarur.



