Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Komisioni Evropian ka miratuar paketën e rishikimeve të politikave përpara zgjerimit të Bashkimit Evropian, ku përfshihen edhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, mes tyre Shqipëria.
Paketa, e miratuar më 6 tetor, synon të përshtatë politikat dhe institucionet e BE-së me një union që pritet të ketë më shumë anëtarë në të ardhmen. Komisioni përcakton një sërë masash që lidhen me funksionimin e institucioneve të BE-së dhe me mënyrën se si do të menaxhohet anëtarësimi i vendeve të reja.
Një nga elementet kryesore është forcimi i mekanizmave mbrojtës në traktatet e ardhshme të anëtarësimit. Komisioni propozon masa mbrojtëse sektoriale më të forta dhe një klauzolë të re mbrojtëse institucionale, me qëllim që angazhimet e ndërmarra gjatë negociatave të vazhdojnë të respektohen edhe pas anëtarësimit.
Në këtë kuadër, Brukseli po përgatit një mekanizëm më të fortë për të reaguar në rast se një shtet i ri anëtar largohet nga parimet dhe standardet mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.
Sipas propozimit të Komisionit, parashikohet edhe një periudhë mbrojtëse prej 15 vitesh për anëtarët e rinj. Gjatë kësaj periudhe, në rast të shkeljeve serioze të vlerave të BE-së, mund të aktivizohen masa që prekin të drejtat e shtetit anëtar, përfshirë të drejtën e votës dhe financimet europiane. Propozimi duhet të kalojë ende nëpër procesin e miratimit nga 27 shtetet anëtare.
Shqipëria në fazën e avancuar të negociatave
Shqipëria aktualisht është kandidate për anëtarësim dhe ka avancuar ndjeshëm në procesin negociues. Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, vendi ka hapur të gjitha 33 kapitujt e negociatave dhe në korrik 2026 mbylli përkohësisht kapitujt për shkencën dhe kërkimin, arsimin dhe kulturën, si dhe marrëdhëniet me jashtë.
Komisioni ka theksuar se zgjerimi duhet të vazhdojë mbi bazën e meritës dhe se vendet kandidate duhet të përmbushin kriteret dhe reformat e kërkuara përpara anëtarësimit.
Për Shqipërinë, kjo do të thotë se përparimi në negociata nuk mjafton vetëm deri në momentin e anëtarësimit. Sipas mekanizmave të rinj që po propozon Brukseli, angazhimet për sundimin e ligjit, demokracinë dhe funksionimin institucional do të shoqërohen me garanci më të forta edhe pas hyrjes në BE.
Paketën e Komisionit e pritet ta ndjekë një debat më i gjerë për reformimin e vetë BE-së përpara zgjerimit. Çështjet që lidhen me institucionet, financat dhe politikat e përbashkëta duhet të përshtaten me një union që mund të ketë më shumë anëtarë.
Komisioni Evropian pritet që këtë proces ta shoqërojë edhe me udhërrëfyes konkretë për vendet kandidate më të avancuara, duke përcaktuar se çfarë duhet të bëhet, në çfarë afati dhe çfarë rezultatesh priten në rrugën drejt anëtarësimit.



