Kalimi i rrugës duke parë telefonin celular mund t’u kushtojë shtrenjtë këmbësorëve në Itali. Autoritetet italiane po përgatisin ndryshime në Kodin e Rrugës, ku parashikohen gjoba për personat që përdorin celularin apo pajisje të tjera elektronike gjatë kalimit të rrugës.
Sipas rregullave të reja, gjoba për këtë shkelje do të nisë nga 75 euro. Masa synon të ulë numrin e aksidenteve që ndodhin kur këmbësorët janë të shpërqendruar nga telefoni dhe nuk i kushtojnë vëmendje trafikut.
Ndalimi nuk do të kufizohet vetëm te telefonat celularë. Ai do të përfshijë edhe pajisje të tjera elektronike, si tabletët, laptopët dhe kamerat dixhitale, nëse përdoren gjatë kalimit të rrugës.
Megjithatë, rregullat parashikojnë disa përjashtime. Këmbësorët do të mund të përdorin telefonin në rast emergjence, ndërsa lejohen edhe bisedat pa duar. Kufjet gjithashtu nuk do të ndalohen, por me kusht që personi të jetë në gjendje të dëgjojë në mënyrë të mjaftueshme tingujt që vijnë nga ambienti përreth.
Ndalimi vlen vetëm gjatë kalimit të rrugës, ndërsa përdorimi i telefonit gjatë ecjes në trotuar nuk do të gjobitet nga kjo dispozitë.
Rregullat e reja kërkojnë gjithashtu që këmbësorët, përpara se të kalojnë rrugën, të sigurohen se drejtuesi i automjetit që po afrohet i ka parë dhe ka ndërmend të ndalojë. Gjatë kalimit, ata nuk duhet të ndalojnë, të ngadalësojnë apo të ndryshojnë ritmin pa arsye.
Ndryshimet vijnë edhe në një kohë kur gjykatat italiane kanë marrë në shqyrtim raste aksidentesh ku një pjesë e përgjegjësisë u është atribuar edhe këmbësorëve, për shkak të mungesës së vëmendjes gjatë kalimit të rrugës.
Gjoba deri në 2,588 euro për shoferët
Ndryshimet në Kodin e Rrugës parashikojnë masa më të ashpra edhe për drejtuesit e automjeteve që përdorin telefonin gjatë drejtimit.
Në rast përsëritjeje të shkeljes, gjoba mund të arrijë deri në 2,588 euro, ndërsa leja e drejtimit mund të pezullohet për një periudhë nga një deri në tre muaj.
Italia nuk është vendi i parë që vendos masa të tilla ndaj këmbësorëve. Në vitin 2018, Lituania vendosi gjoba për personat që përdornin telefonin ose kryenin veprime të tjera shpërqendruese gjatë kalimit të rrugës. Më herët, në vitin 2017, edhe Honolulu kishte miratuar një masë të ngjashme, ndërsa në vitin 2020 iu bashkua edhe qyteti japonez Yamato.
Në thelb, rregullat e reja italiane synojnë një sjellje të thjeshtë, por që mund të bëjë diferencën në trafik, pasi gjatë kalimit të rrugës, sytë duhet të jenë te rruga dhe jo te ekrani.



