Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas duhej të ishte përfunduar brenda 30 muajve nga nisja e punimeve. Sot, më shumë se pesë vite pas firmosjes së kontratës dhe pasi kanë kaluar disa afate të shpallura për përfundimin, qeveria flet për vitin 2027 si afatin kur linja do të jetë më në fund funksionale.
Ndërkohë, projekti nuk është më ai që u prezantua në nisje. Gjatë rrugës janë shtuar stacione, elektrifikimi, punime të tjera dhe një zgjatim prej rreth 4 kilometrash drejt qendrës së Tiranës, ndërsa financimi është zgjeruar ndjeshëm.
Sot, qeveria ka kaluar në një tjetër fazë, po përgatit procedurën konkurruese për të zgjedhur operatorin që do të transportojë pasagjerët në linjën Tiranë-Durrës-Rinas. Por vetë infrastruktura ende nuk është tërësisht gati.
Premtimi i parë: 30 muaj
Kontrata për rehabilitimin e linjës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e degëzimit drejt aeroportit u firmos më 3 shkurt 2021 mes Hekurudhës Shqiptare dhe kompanisë italiane INC SPA.


Në atë moment, Ministria e Infrastrukturës deklaroi se punimet do të zgjasnin rreth 30 muaj. Pra, sipas afatit të shpallur në atë kohë, hekurudha duhej të përfundonte në verën e vitit 2023.
Projekti parashikonte rehabilitimin e rreth 34.7 kilometrave të linjës ekzistuese dhe ndërtimin e një lidhjeje të re drejt aeroportit.
Në dokumentet e BERZH-it, projekti fillestar financohej me një kredi sovrane prej 36.87 milionë eurosh, ndërsa kostoja e projektit në atë fazë ishte shumë më e gjerë, me financim edhe nga grantet e BE-së dhe kontributin shqiptar.
Oferta e kompanisë fituese INC SPA ishte rreth 69.69 milionë euro për kontratën e punimeve, sipas dokumenteve të publikuara gjatë procesit të prokurimit.
Afati i parë u shty
Në qershor 2023, kur afati i shpallur fillimisht po afrohej, në terren ishte realizuar vetëm rreth 45% e punimeve. Hekurudha Shqiptare konfirmoi atëherë se afati i përfundimit ishte shtyrë nga shtatori 2023 në mars 2024.
Pra, nga 30 muajt e premtuar në nisje, projekti hyri në një fazë të re vonesash.
Në janar 2024, Hekurudha Shqiptare deklaroi se vetëm 60% e punimeve ishin realizuar dhe afati ishte shtyrë sërish, këtë herë për tremujorin e parë të vitit 2025.
Argumenti i Hekurudhës ishte se projekti kishte pësuar ndryshime, mes tyre elektrifikimi dhe një zgjatim prej rreth 4 kilometrash nga Terminali i Transportit Publik drejt Bulevardit të Ri.
Projekti u zgjerua dhe paratë u shtuan
Projekti që nisi me një paketë financimi nuk mbeti më në të njëjtën përmasë.
BERZH dokumenton një rritje deri në 40.7 milionë euro të kredisë ekzistuese, për të financuar ndërtimin e rreth tetë stacioneve dhe ndalesave, rritjen e kostove për shkak të ndryshimit të çmimeve, përmirësimet e projektimit dhe shërbimet shtesë të mbikëqyrjes.
Dokumenti BERZH, Financimi 2024
Më pas u parashikua edhe një rritje tjetër deri në 11.62 milionë euro për elektrifikimin e linjës Tiranë-Durrës dhe lidhjes me aeroportin.
Në dokumentet e BERZH-it të përditësuara në vitin 2025, financimi sovran i lidhur me projektin arrin në rreth 89.19 milionë euro, ndërsa kostoja totale e projektit vlerësohet në 165.27 milionë euro.
Kjo është një nga ndryshimet më të mëdha krahasuar me projektin fillestar.
Një dokument i prokurimit të BERZH-it, i publikuar në mars 2024, paraqiste jë strukturë financimi prej 49.569 milionë euro kredi BERZH, 40.7 milionë euro WBIF, 16.1 milionë euro nga qeveria shqiptare dhe financime të tjera, ndërsa vlera e parashikuar e projektit në atë procedurë ishte rreth 90.3 milionë euro.
Stacionet u kthyen në një tjetër tender
Një tjetër hallkë e projektit u prokurua më vete.
Në maj 2024, BERZH publikoi procedurën për ndërtimin e tetë stacioneve në linjën Tiranë-Durrës dhe lidhjen me aeroportin. Procedura ishte një retendering, pra rihapje e tenderit, me afat për ofertat deri më 9 korrik 2024.

Stacionet parashikohen në Tiranë, Kashar, Sukth, Shkozet, Durrës, Epokë dhe aeroportin e Rinasit, sipas informacionit të Hekurudhës Shqiptare.
Pra, ndërsa projekti fillestar kishte një afat të përcaktuar për përfundim, gjatë rrugës u krijuan komponentë të rinj që kërkuan financime dhe procedura të tjera.
Elektrifikimi u bë një tjetër projekt
Elektrifikimi është një tjetër arsye pse sot nuk mund të thuhet se hekurudha është thjesht duke pritur inaugurimin.
Në shtator 2025, BERZH publikoi tenderin për elektrifikimin e linjës Durrës–TIA–Tiranë PTT. Procedura ishte me dy faza dhe lidhet me pjesën e re të financimit të projektit.
Në korrik 2026, ministri Enea Karakaçi deklaroi në Kuvend se synimi ishte që elektrifikimi i plotë i linjës dhe degëzimit drejt aeroportit të përfundonte deri në fund të vitit 2027.
Pra, sot kemi një situatë ku punimet kryesore të shinave mund të jenë pranë përfundimit, por komponenti i elektrifikimit mbetet pjesë e afatit të vitit 2027.
Po 4 kilometrat drejt Tiranës?
Në vitin 2024, Hekurudha Shqiptare e përmendi zgjatimin me rreth 4 kilometra drejt Bulevardit të Ri si një prej ndryshimeve që ndikuan në ecurinë e projektit.
Në vitin 2026, ministri Karakaçi tha se Hekurudha Shqiptare ka vendosur të bëjë përmbylljen e 4 kilometrave të fundit, me synim që linja të rikthehet te pika ku ndodhej historikisht stacioni i trenit në Tiranë, dhe se procedura për këtë është nisur.
Kjo do të thotë se edhe lidhja me Tiranën ka kaluar nëpër ndryshime dhe procedura të reja.
Çfarë ndodh sot?
Më 6 tetor 2026, qeveria ka nisur një tjetër hap, konsultimet me operatorët potencialë për shërbimin e transportit të pasagjerëve.
Dokumenti I Qeverisë Për Operatorin E Trenave – 2026
Ministri Enea Karakaçi tha se po përgatitet Kontrata e Shërbimit Publik, e cila do të përcaktojë oraret, tren-kilometrat, mjetet lëvizëse, financimin, mirëmbajtjen, përdorimin e depos në Shkozet, të ardhurat nga biletat, mekanizmin e kompensimit dhe treguesit e performancës së operatorit.
Në dokumentin e thirrjes për shprehje interesi, qeveria parashikon në nisje rreth 1.1 milion tren-kilometra në vit, katër njësi elektrike në shërbim dhe deri në gjashtë me kapacitet rezervë. Për linjën Tiranë-Durrës parashikohet një kohë udhëtimi rreth 36 minuta, ndërsa për Tiranë-Aeroport rreth 20 minuta.

I njëjti dokument e vendos hapjen e shërbimit në 2027 dhe e përshkruan linjën Tiranë-Durrës-Rinas si projekt të planifikuar për përfundim në tremujorin e tretë të vitit 2027.
Pra, edhe pasi të mbarojë infrastruktura, duhet të zgjidhet operatori, të sigurohen trenat, të përcaktohet financimi dhe të organizohet shërbimi.
Pse u kthye në një “serial”?
Projekti ka kaluar në disa ndryshime si rritje kostosh, përmirësime të projektimit, shtim të stacioneve, elektrifikim dhe zgjatim të linjës, ndërsa paralelisht janë zhvilluar procedura të reja prokurimi. BERZH i përfshin vetë rritjet e kostove nga çmimet dhe ndryshimet e projektimit si arsye për zgjerimin e financimit.
Por kjo nuk e ndryshon faktin kryesor. Kur u firmos kontrata në shkurt 2021, qytetarëve iu tha se punimet do të zgjasnin rreth 30 muaj. Sot, në tetor 2026, ende nuk ka shërbim pasagjerësh dhe objektivi i ri është 2027.
Kështu, një projekt që duhej të përfundonte në vitin 2023 është kthyer në një histori me disa afate. Verë 2023, shtator 2023, mars 2024, tremujori i parë 2025 dhe tani 2027.



