KreuDrejtësiaPagat, Olsian Çela i hap rrugë dialogut me qeverinë?/ Zbutet edhe për...

Pagat, Olsian Çela i hap rrugë dialogut me qeverinë?/ Zbutet edhe për ndryshimet në Kodin Penal

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka kërkuar më shumë angazhim nga magjistratët për të rikthyer besimin e qytetarëve te drejtësia, ndërsa ka ngritur shqetësime për mbingarkesën në prokurori, mungesën e infrastrukturës, sigurinë në institucionet e drejtësisë dhe trajtimin financiar të prokurorëve e gjyqtarëve.

Gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku pritet të zgjidhen tre anëtarë të rinj të institucionit, Çela tha se sistemi i prokurorisë ka kaluar vite të vështira për shkak të vakancave dhe ngarkesës së lartë të punës. Sipas tij, pavarësisht përpjekjeve për t’u përshtatur me organizimin e ri, mbeten probleme që kërkojnë zgjidhje.

Ai renditi si prioritete uljen e numrit të dosjeve të mbartura, rritjen e shpejtësisë dhe cilësisë së hetimeve, përfaqësimin në gjykim, respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe forcimin e bashkëpunimit me partnerët vendas e të huaj.

“Megjithë arritjet pozitive në tërësi, duke veçuar sidomos objektivat që lidhen me procesin e integrimit të vendit, kemi ende shumë punë për të bërë”, u shpreh Çela.

Përplasja për pagat, Çela kërkon zgjidhje përfundimtare

Një nga çështjet e veçanta që ngriti Prokurori i Përgjithshëm ishte trajtimi financiar i magjistratëve, një temë që ka sjellë përplasje mes institucioneve të drejtësisë dhe qeverisë.

Çela kërkoi që çështja të zgjidhet përfundimisht përmes një dialogu real mes palëve dhe jo të shtyhet me vendimmarrje që, sipas tij, nuk respektojnë standardet e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese.

“Përtej sa më sipër, ka nevojë që të gjejë një zgjidhje përfundimtare çështja e trajtimit financiar të magjistratëve. Për këtë nevojitet një dialog real dhe konstruktiv mes të gjitha palëve, që synon zgjidhjen e problemit dhe jo shtyrjen e tij përmes vendimmarrjeve që nuk respektojnë standardet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese”, deklaroi ai.

Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme bëri të ditur se institucioni që ai drejton e ka përcjellë këtë qëndrim si gjatë komunikimeve zyrtare me Kuvendin, në fazën e procesit ligjvënës, ashtu edhe më pas. Ai tha se Prokuroria do të kontribuojë në çdo nismë që synon një zgjidhje të plotë të sistemit të pagave, në përputhje me standardet kushtetuese.

Kundër një Kodi të ri Penal, por pro ndryshimeve procedurale

Çela foli edhe për ndryshimet në legjislacionin penal, duke përsëritur kundërshtinë e tij ndaj nevojës për hartimin e një Kodi të ri Penal, por duke vlerësuar pozitivisht nismat për përmirësimin e Kodit të Procedurës Penale.

Sipas tij, ndryshimet procedurale janë të nevojshme për të garantuar hetime dhe gjykime më efikase, pa cenuar të drejtat e palëve. Ai vuri në dukje se disa prej ndryshimeve të bëra në Kodin e Procedurës Penale në vitin 2017 kanë sjellë probleme në funksionimin e sistemit.

“Për të disatën herë përgjatë këtyre viteve më duhet të them publikisht se ka nevojë që procesi të mos ngadalësohet në fazën e seancës paraprake”, u shpreh Çela, duke kërkuar zgjidhje që respektojnë funksionet procedurale dhe garancitë e palëve.

Ai theksoi se çdo ndryshim duhet të jetë i kujdesshëm, të mbështetet në përvojën e krijuar dhe të marrë parasysh kapacitetet njerëzore e infrastrukturore të sistemit. Sipas tij, konsultimi duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të zhvillohet në një frymë konstruktive.

Probleme me godinat në Tiranë, Durrës, Fier dhe Sarandë

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Çela lidhet me kushtet infrastrukturore të prokurorive. Ai tha se, megjithëse janë bërë përmirësime në një pjesë të institucioneve, mbeten problematike disa prej godinave ku ushtrohet veprimtaria e prokurorëve.

Sipas tij, projektet për përmirësimin e infrastrukturës në Tiranë, Durrës, Fier dhe Sarandë kërkojnë kohë, ndërkohë që plotësimi i organikave me personel mund ta rëndojë situatën përpara se këto projekte të përfundojnë.

Çela kërkoi që të gjenden zgjidhje të ndërmjetme dhe theksoi se përmirësimi i kushteve të punës është i lidhur edhe me nevojën për shtimin e stafit ndihmës për prokurorët, sipas standardeve evropiane.

Ai përmendi gjithashtu sistemin e ri të menaxhimit të çështjeve, i cili pritet të përfundojë në vitin 2028. Sipas tij, ky projekt është një sfidë për institucionet, por edhe një mundësi për të përshtatur veprimtarinë e prokurorisë me zhvillimet dixhitale.

Një vit pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja, siguria mbetet shqetësim

Në fjalën e tij, Prokurori i Përgjithshëm riktheu në vëmendje edhe sigurinë në ambientet e punës së sistemit të drejtësisë, duke përmendur vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja.

Çela tha se, pavarësisht masave shtesë të marra në prokuroritë e vendit, ende nevojitet një zgjidhje afatgjatë për krijimin e një sistemi sigurie sipas standardeve evropiane.

“U bë një vit nga krimi që i mori jetën gjyqtarit Astrit Kalaja, por ende nuk ka një zgjidhje tërësore afatgjatë për sa i përket sigurisë në ambientet e punës”, deklaroi ai.

Sipas Çelës, siguria nuk mund të shihet e shkëputur nga infrastruktura, ndaj përmirësimi i kushteve fizike të institucioneve mbetet një çështje urgjente.

Çela: Duhet të rikthejmë besimin e publikut te drejtësia

Në përfundim të fjalës së tij, kreu i Prokurorisë së Përgjithshme u ndal te përgjegjësia e vetë magjistratëve për funksionimin e sistemit dhe përmirësimin e imazhit të drejtësisë te qytetarët.

Ai theksoi se pavarësia funksionale dhe decentralizimi i prokurorisë kërkojnë më shumë koordinim mes zyrave dhe niveleve të ndryshme të institucionit. Sipas tij, drejtuesit kanë një rol të rëndësishëm në garantimin e lidhjes mes prokurorive dhe Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa pasiviteti dhe mungesa e bashkërendimit dëmtojnë funksionimin institucional.

Çela vlerësoi gjithashtu rëndësinë e një marrëdhënieje konstruktive mes Prokurorit të Përgjithshëm dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke përmendur memorandumin e bashkëpunimit të nënshkruar këtë vit mes dy institucioneve.

“Duhet ende shumë punë nga ana jonë për të rikthyer besimin e publikut tek drejtësia. Kjo do të jetë një përpjekje dhe përgjegjësi e përbashkët, në përgjigje të sfidave që po kalon vendi dhe të pritshmërive të qytetarëve nga sistemi i drejtësisë”, u shpreh ai.

Mbledhja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë përfshin edhe zgjedhjen e një anëtari nga radhët e prokurorëve në Këshillin Drejtues të Shkollës së Magjistraturës. Çela vlerësoi rëndësinë e formimit fillestar dhe të vazhdueshëm profesional për ndërtimin e një sistemi drejtësie efikas, duke u kërkuar kandidatëve për anëtarë të rinj të kontribuojnë me përgjegjësi dhe profesionalizëm gjatë mandatit të tyre.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat