Ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar shkurt për deklaratat e saj të fundit lidhur me Partinë Socialiste, teksa mbërriti në Kuvend për seancën plenare.
E pyetur nga gazetarët nëse kishte komunikuar me kryeministrin Edi Rama pas pakënaqësive që ka artikuluar së fundmi ndaj funksionimit të Partisë Socialiste, Spiropali shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë.
“E rëndësishme është ajo që do bëjmë për Shqipërinë”, u shpreh ajo.
Spiropali u pyet gjithashtu nëse do të ndiqte të njëjtin hap si deputetja Marjana Koçeku, e cila u largua nga radhët e Partisë Socialiste.
Duke përjashtuar një mundësi të tillë, Spiropali deklaroi se angazhimi i saj politik mbetet i pandryshuar.
“Unë jam në PS, kam qenë në PS dhe do të jem në PS”, tha ajo.
Më tej, Spiropali theksoi se Partia Socialiste duhet të mbetet një forcë politike për ata që, sipas saj, synojnë një Shqipëri më të mirë.
“Në PS duhet të jenë ata që kërkojnë një Shqipëri më të mirë, e kanë bërë këtë historikisht, po e bëjnë këtë edhe sot. Ata që i kanë sjellë dëme PS-së, le të shkojnë aty ku e kanë vendin”, deklaroi Spiropali.



