Kreu i ri i Policise se Shtetit, Skënder Hita, ka prezantuar një paketë masash të reja që synojnë ndryshimin e mënyrës së komunikimit të institucionit me qytetarët dhe rritjen e transparencës.
Në një konferencë për shtyp, Hita tha se ndryshimet vijnë pas shqetësimeve të qytetarëve për mënyrën e raportimit të ngjarjeve kriminale dhe ndikimin që këto lajme kanë në perceptimin e sigurisë publike.
Ai theksoi se Policia do të vijojë të jetë transparente, por do të kalojë në një formë më të strukturuar dhe të verifikuar të komunikimit, duke synuar sipas tij “informim më të saktë dhe më të përgjegjshëm”.
Sipas planit të ri, të dhënat statistikore mbi kriminalitetin dhe sigurinë publike do të publikohen rregullisht në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit, duke qenë të aksesueshme për publikun.
Po ashtu, për ngjarjet në dinamikë, informacioni do të jepet në kohë reale nga drejtuesit në terren, i koordinuar me zëdhënësit e policisë, ndërsa për ngjarjet me impakt të lartë publik do të ketë njoftime zyrtare të plota.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është zhvillimi i konferencave mujore nga drejtoritë vendore të policisë, ku do të bëhen transparente rezultatet dhe sfidat në çdo qark.
Hita tha se mbingarkesa me lajme kriminale të pakonfirmuara krijon pasiguri në shoqëri dhe nuk pasqyron gjithmonë realitetin e punës së policisë.
“Qëllimi ynë është të informojmë më drejt, më saktë dhe të mos krijojmë panik në publik”, u shpreh ai.
Sipas tij, ndryshimet nuk përbëjnë kufizim të transparencës, por një rritje të cilësisë së saj, duke u bazuar edhe në praktikat e vendeve europiane dhe konsultime me homologë ndërkombëtarë.
Policia e Shtetit, theksoi Hita, nuk është vetëm institucion që raporton krimin, por edhe një strukturë që punon për parandalimin, edukimin dhe bashkëpunimin me komunitetin.



