Komisioni i BE-së ka publikuar një listë me shtatë vende, që këtej e tutje konsiderohen si vende të sigurta të origjinës. Lista përfshin Kosovën, Indinë, Bangladeshin, Kolumbinë, Egjiptin Marokun dhe Tunizinë. Kërkesat për azilnga njerëzit që vijnë prej këtyre vendeve në të ardhmen mund të shqyrtohen në vendet anëtare të BE-së me procedurë të përshpejtuar, sepse ata kanë pak shanse për të fituar të drejtën e azilit.
Çdo aplikim shqyrtohet individualisht
Sipas të dhënave të Komisionit të BE-së procedura e përshpejtuar duhet të zgjasë më së shumti tre muaj. Vendet anëtare megjithatë duhet që të shqyrtojnë çdo kërkesë për azil individualisht, pavarësisht, nëse personi vjen nga një vend i klasifikuar i sigurt origjine apo nga ndonjë vend tjetër. Lista vlen për të gjitha vendet anëtare të BE-së, por nuk zëvendëson listat kombëtare. Nga shtatë vendet e reja të vlerësuara si të sigurta prej Komisionit të BE-së, deri tani asnjëri nuk është pjesë e listës së Entit Federal për Migracionin dhe Refugjatët në Gjermani (BAMF).
Komisioni deklaroi më tej, se vendet kandidate për anëtarësim në BE konsiderohet si shtete të sigurta origjine. Megjithatë ka përjashtime për vende, në të cilat në sfondin e konflikteve të armatosura mbizotëron “dhuna e shfrenuar”, ndaj të cilëve BE ka vendosur sanksione – ose edhe nëse kuota e pranimit është më shumë se 20 përqind për azilkërkuesit nga ky vend.
Reforma e azilit hyn në fuqi në qershor 2026
Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Piantedosi, e vlerësoi listën si një “sukses” për qeverinë e tij. Roma në mënyrë të përsëritur është angazhuar për një kufizim më strikt të migracionit në BE. Parlamenti i BE-së dhe vendet anëtare duhet ta miratojnë këtë listë. BE vitin e kaluar ra dakord për reformimin e sistemit të përbashkët europian të azilit. Reforma do të hyjë në fuqi në qershor 2026.