Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Policia e Tiranës ka referuar në Prokurori materialet procedurale ndaj Agron Tares, vëllait të Igli Tares, pas kallëzimit të bërë nga gazetari Almer Toska.
Sipas kallëzimit të gazetarit, pas daljes nga një studio televizive, ku kishte folur për Igli Taren dhe denoncime të lidhura me Belinda Ballukun, Auron Tare e kishte kontaktuar në telefon. Toska pretendon se më pas kishte marrë edhe një mesazh me përmbajtje fyese, ndërsa i ishte kërkuar që të takoheshin.
Policia njofton se për rastin ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit A. T., 51 vjeç, banues në Tiranë.
Në kuadër të hetimit, Agron Tare është shoqëruar në polici, ku, sipas uniformave blu, ka deklaruar se e kishte kontaktuar gazetarin për t’i kërkuar sqarime lidhur me deklaratat e bëra prej tij në studio televizive.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet procedurale në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin A. T., 51 vjeç, banues në Tiranë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme.
Hetimi do të përcaktojë rrethanat e kontaktit mes dy personave dhe nëse veprimet e pretenduara në kallëzim përbëjnë vepër penale.



