Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj protestave të zhvilluara në Tiranë, ku studentë dhe qytetarë kërkojnë largimin e tij nga detyra, duke bërë të qartë se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen përpara përfundimit të mandatit. Në mesazhin e tij, kreu i qeverisë ka kritikuar protestuesit, duke i akuzuar disa prej tyre për dhunë, agresivitet dhe sulme ndaj policisë, ndërsa ka përsëritur pretendimet për ndikime të huaja dhe financime kriminale.
Në një kohë kur protestuesit po kërkojnë përgjegjësi politike dhe largimin e kryeministrit, Rama ka zgjedhur t’u përgjigjet duke vënë në pikëpyetje nëse dhuna dhe agresiviteti mund të pranohen si normalitet në shoqëri. Ai tha se nuk dëshiron t’i rikthehet përbërjes së grupit të protestuesve, të cilin e përshkroi si një “mish-mash kategorish”.
Kryeministri pretendoi se protestat në rrugë dhe reagimet në rrjetet sociale nuk përfaqësojnë të gjithë Shqipërinë, duke i vënë ato përballë asaj që e cilësoi si realitetin e vendit dhe zhvillimin ekonomik të arritur gjatë viteve të fundit.
“Detyra më ka çuar gjithë këto vite në çdo skaj e skutë të këtij vendi. Por mes pafundësisë së ëndrrave dhe realitetit tonë kam parë se sa ndryshe është Shqipëria që nuk përfaqësohet, as nga rrugët e Tiranës, ekranet e telefonave, apo edhe televizionet e korruptuara”, u shpreh Rama.
Ai vijoi me kritikat ndaj protestuesve që kërkojnë dorëheqjen e tij, duke i akuzuar për mbështetje të dhunës dhe për sulme ndaj forcave të rendit.
“Të gjithë këtë në rrugë e në Tiranë thonë se duan kokën time, kënaqen nga dhuna, por unë jam pengesa mes kësaj Shqipërie dhe asaj që ka lënë pas Shqipërinë e pazhvilluar. Unë jam dhe do të jem në krye të detyrës sime deri në ditën e fundit të kontratës sime me popullin shqiptar dhe duke mos u ardhur pas avazit atyre studentëve që shkulin bulevardin dhe sulmojnë policinë”, deklaroi kryeministri.
Pavarësisht kërkesave për largimin e tij, Rama këmbënguli se do të qëndrojë në detyrë deri në përfundimin e mandatit të marrë nga qytetarët. Ai nuk dha asnjë sinjal për tërheqje, ndërsa e paraqiti qëndrimin e tij si pjesë të angazhimit për të përmbushur premtimet e bëra gjatë kërkimit të mandatit të katërt.
Rama përmend ndërhyrjet e huaja dhe financimin kriminal
Në reagimin e tij, kryeministri iu referua sërish mundësisë së ndërhyrjeve të huaja dhe financimit kriminal, duke i përfshirë këto pretendime në diskutimin për protestat dhe grupet që kërkojnë largimin e tij.
Rama e përshkroi grupin e protestuesve si një përzierje kategorish të ndryshme dhe kritikoi edhe atë që e cilësoi si përndjekje online. Megjithatë, në deklaratën e përcjellë nuk u paraqitën prova konkrete që të vërtetonin pretendimet për financim kriminal apo ndërhyrje të huaja në organizimin e protestave.
Deklaratat e kryeministrit vijnë në një moment kur kërkesat për dorëheqjen e tij janë bërë pjesë e protestave në kryeqytet. Nga ana tjetër, akuzat e tij ndaj protestuesve nuk e ndryshojnë faktin se kërkesat politike të tyre mbeten në qendër të përplasjes mes qeverisë dhe qytetarëve që kanë dalë në rrugë.
Premton rritje pensionesh dhe masa për koston e jetesës
Përveç protestave, Rama foli edhe për ekonominë, pensionet dhe masat që qeveria synon të ndërmarrë për të lehtësuar kostot e jetesës për familjet shqiptare.
Kryeministri tha se rritja e pensioneve do të vijojë çdo vit, duke theksuar se rritja e parashikuar për këtë vit do të jetë e dyfishuar. Ai pranoi se rritja e kostos së jetesës, veçanërisht për shkak të çmimeve të karburanteve, po rëndon ekonominë familjare dhe u shpreh se nevojiten masa për ta lehtësuar këtë barrë.
“E kam nënvizuar gjithmonë që kur kam kërkuar mandatin e katërt, sepse synimi im është që shqiptarët gjithmonë të marrin më shumë. Ekonomia na i ka dhënë mundësinë dhe jemi zotuar që pensionet do të rriten çdo vit. Rritja e këtij viti do të jetë e dyfishuar. Jam shumë i vetëdijshëm për koston e jetesës të familjeve nga rritja e karburanteve”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se qeveria do të bëjë të ditura masat lehtësuese për familjet, duke e lidhur këtë angazhim me rritjen e të ardhurave të buxhetit dhe zgjerimin e ekonomisë.
“Duhet që me çdo kusht dhe me çdo mjet që të ekuilibrohet. U thashë që do t’u bëja me dije masat lehtësuese për familjet e zakonshme. Për herë të parë në historinë e Shqipërisë buxheti i shtetit kalon vlerën e 10 miliardë eurove. Shqipëria rritet, por edhe ekonomia e saj po ashtu. Nuk e themi vetëm ne, por e thonë të gjitha faktet dhe provat”, tha kreu i qeverisë.



