Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pas transferimit të tij nga institucioni i paraburgimit në Durrës drejt atij në Fier, duke pretenduar se nuk i është vënë në dispozicion akti që urdhëronte lëvizjen dhe as arsyet ligjore që e justifikonin atë.
Në një deklaratë të publikuar më 28 tetor, Veliaj thotë se në institucionin e Durrësit janë paraqitur punonjës të policisë së burgjeve, të dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, me qëllim transferimin e tij në Fier.
Sipas tij, pavarësisht kërkesave të përsëritura prej tij dhe avokatit për t’u njohur me dokumentacionin përkatës, kërkesa është refuzuar dhe atyre nuk u është dhënë mundësia të shqyrtojnë aktin mbi të cilin mbështetej transferimi.
“Një transferim i detyruar, pa më bërë të njohur aktin dhe arsyet ligjore mbi të cilat mbështetet, për mua përbën një rrëmbim policor dhe cenon rëndë të drejtat e mia”, shprehet Veliaj.
Kryebashkiaku pretendon se nuk ka dhënë pëlqimin për transferimin dhe se ka kundërshtuar mënyrën se si është realizuar ai. Sipas tij, mosvënia në dispozicion e dokumentacionit përkatës përbën mungesë transparence dhe e pengon në ushtrimin e të drejtave të tij ligjore.
Në deklaratën e tij, Veliaj i cilëson rrethanat e transferimit si një veprim me prapavijë politike, duke iu referuar atij si “transferim politik”. Ai u kërkon Ministrisë së Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit të ndërhyjnë urgjentisht për të verifikuar arsyet dhe rrethanat e vendimit.
Veliaj kërkon që institucionet përgjegjëse të shqyrtojnë mënyrën se si është kryer transferimi dhe nëse janë respektuar procedurat ligjore, si dhe të sqarojnë bazën mbi të cilën është marrë vendimi.



