back to top
27.1 C
Tirana
E diel, 14 Qershor, 2026
spot_img
KreuAktualitet“Resorti do të bëhet”/ Rama reagon sërish për kundërshtimet në Zvërnec

“Resorti do të bëhet”/ Rama reagon sërish për kundërshtimet në Zvërnec

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me protestat që po zhvillohen në Tiranë kundër ndërtimit të resortit të planifikuar në zonën e Zvërnec.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama publikoi një video ku shfaqet një protestues që përdor fyerje dhe kërcënime, duke e shoqëruar me një mesazh ku thekson se projektet e qeverisë do të vijojnë sipas vizionit që, sipas tij, është mbështetur nga shumica e qytetarëve në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.

Kreu i qeverisë la të kuptohet se projekti turistik në Zvërnec do të realizohet, pavarësisht kundërshtimeve të protestuesve. Ai u shpreh se “Shqipëria do bëhet sipas kontratës që kemi lidhur për herën e katërt në majin e shkuar me 83 vota”, duke shtuar se vendi do të ecë përpara “pavarësisht se çfarë thonë apo duan” kundërshtarët e projektit.

Në reagimin e tij, Rama kritikoi ashpër pjesëmarrësit në protestë, duke i akuzuar se e shohin Shqipërinë “peng të verbërisë së tyre” dhe se përdorin atdhedashurinë si një platformë për të sulmuar “tradhtarë dhe armiq imagjinarë të Shqipërisë”.

Kryeministri argumentoi gjithashtu se protesta ka humbur arsyet fillestare që e nxitën, ndërsa pretendoi se pjesa e mbetur e kundërshtimit ushqehet nga aktorë që, sipas tij, “nuk e duan Shqipërinë në Ligën e Kampionëve të Turizmit” dhe ndikojnë përmes asaj që ai e cilësoi si “luftë hibride” në rrjetet sociale.

Rama e mbylli mesazhin me një apel ndaj mbështetësve të tij që vazhdojnë të marrin pjesë në protestë, duke u dërguar atyre “një përqafim të veçantë”, ndërsa theksoi se protesta tashmë ka mbetur pa arsye reale për të vijuar.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat