back to top
28.4 C
Tirana
E mërkurë, 24 Qershor, 2026
spot_img
KreuAktualitetKronikëMbi 200 mijë euro të zhdukura, zbardhet skema/ Arrestohen drejtori dhe zv.drejtori...

Mbi 200 mijë euro të zhdukura, zbardhet skema/ Arrestohen drejtori dhe zv.drejtori i UBA Bank

Një operacion i Krimit Ekonomik pranë Policisë së Tiranës ka zbuluar një skemë të dyshuar abuzimi me llogaritë bankare të klientëve, duke çuar në arrestimin e drejtorit dhe zv.drejtorit të një dege të UBA Bank në kryeqytet.

Në pranga janë vënë drejtori Gilbert Hoxha dhe zv.drejtori Albin Keta, ndërsa gjashtë punonjës të tjerë janë vendosur në masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe katër persona janë pezulluar nga detyra.

Hetimet nisën pas denoncimeve të disa klientëve të bankës, të cilët konstatuan mungesën e shumave të konsiderueshme në llogaritë e tyre. Sipas organit të akuzës, deri tani është dokumentuar një dëm ekonomik që kap vlerën e mbi 200 mijë eurove, ndërsa dyshohet se numri i klientëve të prekur mund të jetë më i lartë.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, procedimi penal ka nisur pas kallëzimit të shtetasit I.O., i cili denoncoi se nga tre llogaritë e tij bankare ishin tërhequr pa autorizim 500 mijë lekë. Një kallëzim tjetër është bërë nga vetë banka, pas zbulimit të tërheqjeve të paautorizuara nga llogaria e një klienteje tjetër.

Nga hetimet ka rezultuar se në degën bankare janë kryer të paktën 30 tërheqje pa mandat, si dhe janë hapur e mbyllur pa autorizim depozita në euro dhe dollarë. Prokuroria dyshon se punonjësit kanë vepruar në bashkëpunim, duke shfrytëzuar aksesin në sistemin bankar për të kryer tërheqje me mandate false, konvertime valutore të paligjshme, hapje dhe mbyllje depozitash, si dhe ndryshime të të dhënave të klientëve pa autorizim.

Sipas dosjes hetimore, drejtori Gilbert Hoxha dhe zv.drejtori Albin Keta dyshohet se kanë pasur rol kyç në skemë, duke autorizuar dhe mundësuar transaksione të kundërligjshme përmes shpërdorimit të detyrës dhe aksesit në sistem.

Në masën “arrest në shtëpi” janë lënë Griselda Bana, Dorisa Doka, Oksana Kadiu, Resmije Stafa, Blerta Nelaj dhe Zhaklina Buçpapaj, të cilat dyshohen se kanë marrë pjesë në veprimet e paligjshme në cilësinë e arkëtareve, punonjëseve të shërbimit ndaj klientit apo funksioneve të tjera operative.

Ndërkohë, ndaj Elona Qoses, Iva Dollakut, Ensuida Kecit dhe Bjorn Maznikut është vendosur masa “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, pasi dyshohet se me veprimet e tyre kanë krijuar kushtet për realizimin e skemës së abuzimit.

Të gjithë personat nën hetim akuzohen për veprat penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.

Hetimet vijojnë për të verifikuar nëse ka klientë të tjerë të dëmtuar dhe për të përcaktuar vlerën e plotë të dëmit të shkaktuar nga skema e dyshuar e abuzimit me fondet bankare.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat