Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbahen më 5 nëntor, por fituesi i garës, në atë që duket se do të jetë një rezultat i ngushtë, mes demokrates Kamala Harris dhe republikanit Donald Trump, mund të mos dihet për disa ditë, pas mbylljes së qendrave të votimit.
Ndërsa numërohen votat, një kandidat mund të duket se kryeson bazuar në të dhënat e para, por më pas ekziston mundësia që rezultati të ndryshojë me numërimin e votave të tjera.
Kjo ndodhi në vitin 2020 kur në disa shtete zoti Trump kaloi në epërsi natën e zgjedhjeve, përpara se rezultati të përmbysej nga kandidati demokrat Joe Biden, një fenomen ky që zoti Trump e përdori për pretendimet e tij të rreme se zgjedhjet ishin vjedhur.
Asgjë e paligjshme nuk kishte ndodhur. Demokratët kryesisht jetojnë në zona urbane, më të populluara, ku numërimi i votave zgjat më shumë. Demokratët e shfrytëzojnë më shumë të drejtën e votimit me postë. Republikanët, të paktën deri në zgjedhjet e vitit 2020, votuan më pak me postë, edhe aq për shkak të pretendimeve të rreme të ish Presidentit Trump se fletëvotimet me postë nuk ishin të besueshme. Këto fletë votimi kërkojnë më shumë kohë për t’u numëruar sesa votat që hidhen ditën e zgjedhjeve. Ish Presidenti Trump, këtë herë e ka inkurajuar votimin me postë, ndonëse herë pas here bën kritika për të.
ARIZONA
Votimi me postë është jashtëzakonisht popullor në Arizona. Në vitin 2020 gati 90% e votuesve i hodhën votat e tyre herët, shumica me postë. Zyrtarët zgjedhorë në Arizona mund të fillojnë përpunimin dhe numërimin e fletëvotimeve me postë menjëherë pas marrjes së tyre, por rezultatet nuk mund të publikohen deri një orë pas mbylljes së qendrave të votimit më 5 nëntor.
Çdo fletë votimi me postë, që mbërrin ditën e zgjedhjeve, nuk mund të hapet pa u mbyllur më parë qendrat e votimet. Ky është shpesh një numër i madh i votash. Në vitin 2022, gjatë zgjedhjeve për në Kongres, votat me postë, që mbërritën ditën e zgjedhjeve, përbënin një të pestën e të gjitha fletëvotimeve në qarkun Maricopa, më i madhi në Arizona. Për numërimin e tyre u deshën disa ditë.
Rezultatet fillestare në natën e zgjedhjeve duhet të jenë kryesisht ato të votave të hershme, të cilat mund të favorizojnë zonjën Harris, përpara se numrat të zhvendosen drejt rivalit republikan Trump, ndërsa numërohen votat e hedhura në ditën e zgjedhjeve. Në ditët në vijim rezultatet sërish mund të favorizojnë zonjën Harris pasi fillon numërimi i fletëvotimeve me postë, që mbërrijnë me vonesë.
XHORXHIA
Votimi i hershëm është popullarizuar në Xhorxhia. Zyrtarët presin që 65% deri në 70% e votave të jenë hedhur në qendrat e votimit, para ditës së zgjedhjeve. Fletët e votimit me postë, të cilat mund të përbëjnë rreth 5% të votave, mund të përpunohen dy javë para zgjedhjeve. Në këtë fazë bëhet verifikimi i nënshkrimit për të konfirmuar që vota është e ligjshme. Për numërimin e tyre duhet pritur dita e zgjedhjeve.
Ligji i shtetit thotë se të gjitha votat e hershme, ato që hidhen në qendra votimi, apo të dërguara me postë, duhet të numërohen dhe rezulatet të publikohen deri në orën 20:00, sipas orës lokale, natën e zgjedhjeve. Zyrtarët synojnë që të gjitha votat, përfshirë ato nga dita e zgjedhjeve, të numërohen deri në mesnatë.
Fletët e votimit nga votuesit jashtë shtetit dhe personeli ushtarak do të pranohen deri në tre ditë pas zgjedhjeve, nëse kanë vula postare mban datën 5 nëntor, ose më herët. Deri tani ka patur 21 mijë kërkesa të tilla. Në zgjedhjet që pritet të përfundojnë me diferencë jashtëzakonisht të ngushtë në mes të kandidatëve, fituesi mund të mos dihet derisa të jenë përpunuar dhe numëruar edhe ato vota.
MIÇIGAN
Që nga zgjedhjet e vitit 2020, Miçigani, për herë të parë ka krijuar mundësinë e votimit të hershëm dhe ka filluar të lejojë qarqet me më shumë se 5,000 banorë të fillojnë përpunimin dhe numërimin e fletëvotimeve me postë tetë ditë përpara ditës së zgjedhjeve. Qarqet më të vogla mund ta bëjnë këtë një ditë përpara 5 nëntorit.
Zyrtarët shpresojnë se këto ndryshime do t’i lejojnë shtetit ta njoftojë rezultatin më shpejt se në vitin 2020, kur fletëvotimet me postë nuk mund të përpunoheshin paraprakisht. Kjo ishte arsyeja pse kandidati republikan Donald Trump kaloi në avantazh natën e zgjedhjeve. Kandidati demokrat Joe Biden e kaloi zotin Trump pasi dolën të dhënat e votave me postë, të cilat u desh më shumë kohë për t’u numëruar. Ish Presidenti Trump pretendoi në mënyrë të rreme se ishte viktimë e mashtrimit.
NEVADA
Numërimi i ngadaltë i votave në Nevada në vitin 2020, që pamundësoi njoftimin për fituesin deri pesë ditë pas ditës së zgjedhjeve, nxiti ndryshime në shtet që zyrtarët thonë se do të përshpejtojnë procesin.
Ndryshimi më i rëndësishëm është ai që iu lejon qarqeve të fillojnë përpunimin dhe numërimin e votave me postë, më 21 tetor. Punonjësit e qendrave të votimit mund të fillojnë të përpunojnë votat e hershme në orën 8 të mëngjesit, sipas orës lokale, në ditën e zgjedhjeve, në vend që të presin deri në mbylljen e qendrave të votimit.
Por, rezultati në Nevada edhe kësaj radhe mund të mos dihet menjëherë. Votimi me postë është bërë popullor në këtë shtet dhe është i vetmi shtet i papërcaktuar që pranon edhe fletëvotimet me postë që arrijnë me vonesë.
Çdo fletë votimi që ka vulë postare më datën 5 nëntor, do të numërohet edhe nëse arrin katër ditë pas zgjedhjeve. Këto votime të vonuara, historikisht, favorizojnë demokratët, kështu që mund të ndodhë një ndryshim rezultati në favor të zonjës Harris ndërsa numërohen votat e arritura pas ditës së zgjedhjeve.
KAROLINA E VERIUT
Zyrtarët zgjedhorë e fillojnë përpunimin e fletëvotimeve me postë përpara ditës së zgjedhjeve. Pas mbylljes së votimeve, rezultatet e para të njoftuara ka të ngjarë të jenë kryesisht fletëvotimet me postë, si dhe votat e hershme. Votat e ditës së zgjedhjeve do të numërohen dhe njoftohen gjatë gjithë mbrëmjes, ndërsa rezultatet e plota priten deri në mesnatë.
Zonja Harris mund të kryesojë në fillim falë fletëvotimeve me postë, ndërsa zoti Trump mund të mbyllë hendekun ndërsa numërohen votat e ditës së zgjedhjeve.
Megjithatë, nëse zgjedhjet përfundojnë me rezultat aq të ngushtë sa sugjerojnë sondazhet, rezultati përfundimitar në Karolinën e Veriut mund të mbetet i paqartë për një javë, ose më shumë. Fletët e votimit me postë që mbërrijnë më 5 nëntor, si dhe fletët e votimit nga shtetasit jashtë vendit dhe personeli ushtarak, numërohen gjatë periudhës 10-ditore, pas ditës së zgjedhjeve. Në vitin 2020, fitorja e zotit Trump në këtë shtet nuk u konfirmua deri më 13 nëntor, 10 ditë pas ditës së zgjedhjeve.
PENSILVANI
Pensilvania, që vlersohet si shteti më i rëndësishëm nga grupi i të papërcaktuarve, nuk pati një fitues të qartë në vitin 2020 për katër ditë pas ditës së zgjedhjeve. Kjo ndodhi për shkak të një numri të madh të votave me postë. Pensilvania është pjesë e një numri të vogël shtetesh amerikane që nuk i lejon punonjësit zgjedhorë të përpunojnë, ose numërojnë fletëvotimet me postë deri në orën 7 të mëngjesit sipas orës lokale, në ditën e zgjedhjeve. Kjo do të thotë se ka të ngjarë të duhen sërish disa ditë përpara se të dihet rezultati përfundimtar.
Me më shumë demokratë, sesa republikanë, që votojnë me postë, rezultatet e hershme, duke marrë parasysh votimet në ditën e zgjedhjeve, ndoshta do ta nxjerrin zotin Trump përpara, por epërsia e tij ka të ngjarë të zvogëlohet, ndërsa numërohen fletëvotime me postë.
Ky model në vitin 2020 gjithashtu e shtyu ish Presidentin Trump të pretendonte se po bëheshin mashtrime. Këtë vit, një ligj i ri kërkon që shumica e qarqeve të shpallin në mesnatën e natës së zgjedhjeve se sa fletë votimi me postë kanë mbetur për t’u numëruar në një përpjekje për të parandaluar teoritë e konspiracionit.
VISKONSIN
Ashtu si Pensilvania, Viskonsin është ndër të paktët shtete që nuk lejojnë zyrtarët zgjedhorë të përpunojnë, ose numërojnë fletëvotimet me postë deri në mëngjesin e ditës së zgjedhjeve. Kjo do të thotë se mund të ketë një vonesë në njoftimin e rezultateve të votimeve të parakohshme.
Përveç kësaj, shumë nga qytetet më të mëdha të shtetit i transportojnë fletëvotimet me postë në një vend të centralizuar për përpunim dhe numërim. Kjo mund të çojë në një grumbull të konsiderueshëm votash që të njoftohen të gjitha menjëherë në orët e hershme të mëngjesit, pas mbylljes së qendrave të votimit.
Në vitin 2020, ish Presidenti Trump dhe aleatët e tij pretenduan në mënyrë të rreme se kishte manipulime pasi Miluaki, qyteti më i madh i shtetit, rreth orës 3:30 të mëngjesit njoftoi për rreth 170,000 fletë votimi me postë. Këto vota rritën përqindjen e zotit Biden duke e nxjerrë atë në epërsi për herë të parë. Por kjo rritje ishte e pritshme për shkak të mënyrës se si qyteti i përpunon fletë votimet dhe faktit që demokratët kishin më shumë gjasa të votonin me postë. Një gjë e ngjashme është e mundur edhe në zgjedhjet e këtij viti./Voa