Një ngjarje e pazakontë është regjistruar javën e kaluar në Porti i Durrësit, ku një kontenier me mallra rezulton i zhdukur në rrethana ende të paqarta, duke vënë në lëvizje institucionet përgjegjëse.
Sipas burimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është vënë në dijeni pas një shkrese të mbërritur nga Prokuroria e Durrësit, e cila ka nisur hetimet për këtë rast të pazakontë.
Alarmi është ngritur fillimisht nga SHISH, pasi është konstatuar mungesa e kontenierit, për përmbajtjen e të cilit ende nuk ka informacion zyrtar.
Hetimet paraprake tregojnë se kontenieri dyshohet të jetë zhdukur gjatë natës. Aktualisht, oficerët e policisë gjyqësore po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë të sekuestruara në zonën doganore, në përpjekje për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Ndërkohë, mungesa e transparencës zyrtare ka shtuar dyshimet dhe diskutimet brenda radhëve të doganierëve, ku rasti po përshkruhet si një situatë “e pazakontë”, me referime ironike ndaj një kontenieri të “humbur” apo edhe “të arratisur”.



